Në Gramsh, shqetësim ka shkaktuar helmimi i një numri të konsiderueshëm fëmijësh që frekuentojnë një kopsht shtetëror, ku dyshohet se shkaku kryesor është ushqimi i kontaminuar. Bëhet me dije se rreth 70 fëmijë kanë kaluar analiza, të cilat kanë treguar prani të lartë të bakterit salmonelë.
Dyshimet për helmim masiv nisën pasi gjatë kësaj jave dhjetëra fëmijë shfaqën simptoma të helmimit, duke përfshirë temperaturë të lartë, të vjella dhe dhimbje koke. Fillimisht prindërit dyshuan se fëmijët mund të kenë pasur një infeksion gripal, por testet laboratorike ndryshuan këtë perceptim, duke treguar për helmim nga ushqimi.
Shërbimi i kateringut, që ofron ushqimin për kopshtin, menaxhohet nga një kompani private. Mjekja pediatre e spitalit lokal, ku u paraqitën rastet e para, alarmoi për situatën, duke bërë që autoritetet të ndërmarrin menjëherë kontrolle.
Aktualisht, sipas njoftimeve nga Spitali i Gramshit, nuk ka fëmijë të shtruar dhe situata është stabilizuar. Nga mostrat e marra për analiza, 30 prej tyre janë në proces të ekzaminimit të detajuar dhe deri tani është konfirmuar të paktën një rast helmimi nga salmonela. Për rezultatet e tjera pritet njoftim në ditët në vijim.
Autoritetet përkatëse, përfshirë Agjencinë Kombëtare të Ushqimit, po vijojnë me marrjen e mostrave të tjera dhe inspektimet për të identifikuar saktësisht shkakun dhe për të parandaluar raste të ngjashme në të ardhmen.