Rreth 70 fëmijë që frekuentojnë një kopsht shtetëror në Gramsh dyshohet se janë helmuar nga ushqimi që kanë konsumuar në institucion. Analizat mjekësore kanë konfirmuar praninë e një sasie të lartë të bakterit salmonelë në mostrat e marra nga fëmijët.
Gjatë javës së fundit, dhjetëra fëmijë kanë shfaqur simptoma të helmimit, përfshirë temperaturë të lartë, të vjella dhe dhimbje koke, gjë që ka alarmuar prindërit dhe ka bërë që shumë prej tyre të kërkojnë ndihmë në spitalin e qytetit të Gramshit.
Shërbimi i kateringut në kopsht ofrohet nga një kompani private, ndërsa autoritetet lokale ende nuk kanë dhënë një reagim zyrtar mbi këtë situatë, e cila dyshohet të jetë më serioze nga sa është raportuar deri tani.
Fillimisht, prindërit kishin menduar se fëmijët mund të kenë pasur një grip, por analizat mjekësore zbuluan helmimin nga ushqimi i konsumuar në kopsht.
Situata vazhdon të monitorohet nga specialistët shëndetësorë, ndërkohë që prindërit kërkojnë sqarime dhe masa të menjëhershme për parandalimin e ngjarjeve të ngjashme në të ardhmen.