Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj në rrjetin e tij social ka reaguar pas deklaratave nga Partia Demokratike se do të kërkojnë rinumërim të votave të pavlefshme në Tiranë, me qëllim marrjen e mandatit të 14 dhe duke i hequr Mundësisë mandatin e dytë.
Shehaj shprehet se dy mandatet e fituara në mënyrë të ndershme dhe të padiskutueshme në Tiranë janë objekt i një tentative për vjedhje në tavolinë. Ai thotë se Partia Mundësia do të mbrojë çdo votë të qytetarëve, ashtu siç e ka bërë edhe më parë përballë presioneve politike apo policore.
“Dy mandate. Dy votëbesime. Të ndershme. Të padiskutueshme. Dhe askush nuk do t’i rrëmbejë. Askush.
Ajo që po përpiqen të bëjnë është një grabitje. Një tjetër përpjekje e dëshpëruar nga partitë e vjetra që nuk duan të ndryshojnë.
Nuk mund të bërtasësh për farsë zgjedhore, dhe pastaj të vjedhësh një mandat në tavolinë. Kjo është hipokrizi. Dhe nuk do të ndodhë!
E kemi thënë më parë dhe po e themi sërish: votat tuaja nuk preken. Çdo votë për Partinë Mundësia është një votë për ndryshimin, dhe nuk do të preket, nuk do të tjetërsohet, nuk do të vidhet.”, shkruan Shehaj.