Në një konferencë për media, kryetari i Bashkisë së Gramshit, Besion Ajazi, ka sqaruar situatën lidhur me rastet e salmonelës që janë shfaqur tek disa fëmijë në një nga kopshte publike të qytetit. Ai theksoi se deri më tani nuk ka prova që helmimi të jetë shkaktuar nga ushqimi, pasi analizat ende nuk kanë përfunduar, dhe ka mohuar pretendimet për helmim masiv apo keqmenaxhim nga institucionet përgjegjëse.
“Nuk kemi të bëjmë me një helmim për shkak të ushqimit, sepse nuk kemi ende analizat, por kemi të bëjmë me faktin se ka disa raste me bakterin salmonela në një kopsht publik. Në ditët e fundit janë bërë 6 raste që kanë marrë shërbim mjekësor, fëmijë nga i njëjti kopsht, dhe kjo ka nxitur një vëmendje të shtuar dhe alert nga institucionet tona.”
“Kërkesa që ushqimi për fëmijët të mos vijë nga jashtë qytetit është pa sens, sepse ne zbatojmë ligjin për prokurimet. Ushqimi nuk është katering, por me furnizim nga një kompani dhe gatim në ambientet e kopshtit me kuzhinierë me eksperiencë. Është rasti i parë që na ka ndodhur dhe nuk dimë as autorët apo shkaqet.”
Kryetari i bashkisë përmendi se nuk ka asnjë lloj presioni apo intimidimi ndaj prindërve dhe se është e rëndësishme të pritet përfundimi i analizave nga institucionet përgjegjëse para se të nxirren konkluzione.