Ndarja nga jeta e Artan Lamës ka lënë një boshllëk të madh në skenën publike dhe institucionale të Shqipërisë. Figura e tij u shqua jo vetëm për njohuritë e gjera, por edhe për përkushtimin e jashtëzakonshëm ndaj çështjeve kombëtare, duke u bërë një pikë referimi për shumë shqiptarë.
Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja në homazhet për Lamën, theksoi rëndësinë e veçantë të kontributit të tij:
“Nga sot, Tiranës dhe Shqipërisë do i mungojë një njeri i ditur dhe patriot, që vetëofrohej për të bërë gjërat më mirë në Shqipëri. Ka humbur jeta publike, jeta institucionale, por edhe shoqëria civile ka humbur një njeri unik. Ai ishte një intelektual me dije të gjithanshme. Ai dinte të mbronte kauzat e tij me pasionin që kishte. Ai ka mbrojtur çështjen e detit me Greqinë. Mbrojti këtë çështje si pak kush. U prehtë në paqe.”