Janë përcaktuar ndeshjet gjysmëfinale të Kampionatit Europian U-17 “Shqipëri 2025”. Franca do të përballet me Belgjikën, ndërsa Italia me Portugalinë.
Mbrëmjen e sotme u luajtën edhe ndeshjet e fundit në Grupin B, ku pas Italisë, biletën tjetër për në gjysmëfinale e siguroi Belgjika.
Italia triumfoi edhe në ndeshjen e tretë ndaj Belgjikës me rezultatin 2-1 në “Niko Dovana”. Belgët shënuan të parët, ndërsa axurrët përmbysën rezultatin në pjesën e dytë.
Në sfidën tjetër të Grupit B, Anglia mundi 4-2 Çekinë në “Egnatia Arena”, por nuk arriti të kualifikohej, pasi vendin e dytë e siguroi Belgjika falë golavarazhit më të mirë.
Italia e mbylli Grupin B në vendin e parë me 9 pikë, Belgjika dhe Anglia me nga 4 pikë, ndërsa Çekia në vendin e fundit me 0 pikë.
Ndeshjet gjysmëfinale të Kampionatit Europian U-17 “Shqipëri 2025” do të luhen më 29 maj në “Arenën Kombëtare” dhe “Elbasan Arena”.