Qeveria shqiptare ka miratuar vendimin që i hap rrugën rikthimit në shërbimin aktiv ushtarakëve në rezervë.
Ky vendim i propozuar nga Ministria e Mbrojtjes dhe i miratuar nga Këshilli i Ministrave, ka për qëllim të plotësojë nevojat e Forcave të Armatosura me personel të kualifikuar dhe të forcojë kapacitetet mbrojtëse të vendit.
Aplikimi do të kryhet online përmes portalit e-Albania. Pas dorëzimit të dokumenteve, kandidatët do t’i nënshtrohen vlerësimit nga komisione përkatëse dhe kontrollit të sigurisë.
Kandidatët e përzgjedhur do të titullohen si ushtarakë aktivë, për t’u emëruar më pas në detyrën përkatëse. Ata do të ruajnë gradën që kanë pasur në momentin e daljes në rezervë dhe nuk do të kenë të drejtë për avancim gjatë periudhës së kontratës.
Vendimi gjithashtu parashikon se në rastet e mobilizimit të pjesshëm apo të përgjithshëm, rikthimi në shërbim mund të bëhet edhe pa aplikim, me njoftim të drejtpërdrejtë nga institucionet ushtarake.