Ish-presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka komentuar rezultatin e zgjedhjeve të 11 majit, duke e cilësuar atë si një zhvillim të pritshëm që rikonfirmon gjendjen aktuale të politikës shqiptare.
Sipas tij, thelbi i analizës nuk qëndron tek fushata apo retorika mediatike, por tek struktura e sistemit politik dhe mënyra se si ai funksionon.
“Do ju përgjigjem në mënyrë lakonike. Këto zgjedhje rikonfirmuan status quo-në. Ne këtu së bashku kemi ndarë edhe herë të tjera dhe ajo që vlen në analizë, pikërisht periudha para se të vinin zgjedhjet – sepse njeriu tenton të shkojë në disa momente të cilat janë momente reale jashtë vlerësimit subjektiv të partive, të opinionistëve në studio, siç e kam shprehur edhe më parë, për fat të keq orientohen sipas interesave të partive.
Këtu nuk është problemi që ne këtu parashikojmë orakullin, por bëjmë një analizë objektive politike, dimë cila është struktura e politikës shqiptare, kush janë personazhet, cili është sistemi dhe në fund fare nëse analizon sistemin parashikon edhe rezultatin. Pra, gjithçka ishte e pritshme.
Kur shkon në vlerësimin numerik, aty shtohet edhe një element tjetër që është më i paparashikueshmi që vendos Shqipërinë në një rregull veç të tjerëve, pra sa më shumë probleme mazhoranca, aq më shumë vota në zgjedhjet e ardhshme. Një lloj paradoksi që sistemi politik zgjedhor ka anomali dhe këto anomali japin edhe këto rezultate”.