Deputeti socialist Erion Braçe ka reflektuar mbi garën për zgjedhjet e 11 majit, duke e quajtur sistemin e listave të hapura si një proces të dyfishtë dhe të vështirë, që jo vetëm përballi kandidatët me opozitën, por edhe me njëri-tjetrin brenda partisë. Ai theksoi se, ndonëse është ndër më të votuarit në Tiranë, ka humbur miq gjatë fushatës dhe se ky sistem nuk është i shëndetshëm për një forcë politike.
“Lista e hapur ishte një garë e dyfishtë, një garë me opozitën në radhë të parë, por edhe një garë brenda pjesës tënde, brenda partisë tënde. Nëse e para është tradicionale, kjo e dyta patjetër që është e vështirë, veçanërisht për mua, sepse e kam parim që nuk dua të humb miq e shokë për një garë elektorale.
Në të dyja aspektet u bë e vështirë, edhe për faktin se opozita nuk ishte inekzistente që thuhet. Në një njësinë 5 ishte i gjithë spektri i opozitës. Në krahun tjetër, ishin kolegët që kishin katër vjet në zonë, një pjesë edhe më shumë se katër vite, ndërsa unë kisha vetëm 2 muaj e pak ditë.
Unë nuk kisha kohë për të njohur Tiranën, jo më për të bërë fushatë, pavarësisht se jetoj në Tiranë, por kam qenë i fokusuar në zonën time elektorale (Divjakë).”
“Secili prej nesh duhet të mbajë barrë brenda partisë së tij. Duhet të mbaja peshë. Dy shqetësime kam pasur. E para, ndarja shumë paqësore me Divjakën. Meraku i dytë ishte koha e pamjaftueshme. Lista e hapur apo e mbyllur nuk ka qenë fare problem.”
“Patjetër që sfidën e ndjeva, por meraku më i madh ishte mos humbja e miqve në këtë histori. Nga Divjaka në Tiranë kam humbur miq. Nuk ka triumf në politikë, mund ta fitosh një garë, por pas një jave mund të humbësh popullaritetin.”
“Të promovosh veten, është një gjë krejt legjitime, por që të shash tjetrin, sidomos brenda një partie, nuk është normale. Prandaj unë këtë sistem nuk e dua edhe për këtë arsye.”
“Patjetër që kam pasur zhgënjime. E thashë, përderisa kam humbur miq. Nuk kanë rëndësi emrat. Kjo është e imja, është personale. Patjetër që ndikoi në fushatë sepse të destabilizon.”
“Të vijnë fjalë të tipit: çfarë do me atë, ai nuk zgjidhet deputet, atë nuk e do Rama, nuk i merr dot votat. Kemi qenë aty, kemi luftuar bashkë, i kemi dalë në krah njëri-tjetrit, për çfarë e bën, për një vend deputeti?”
“Po, komunikimi me kryeministrin ka qenë vetëm për punën. Mora një urim për fitoren, sipas stilit të tij, kuptohet: ‘Hajde urime, se na çmende!’ Unë nuk ndihem fitues se jam unë, por ndihem fitues se është PS-ja.”