Kreu i “Nisma Thurje”, Endri Shabani në emisionin 5 pyetje nga Babaramo u shpreh se sistemi elektoral është i padrejtë, por marrëveshja Berisha-Rama i pengon, edhe pse ata kanë ndjekur të gjithë rrugën ligjore.
“Analiza se kush i prish punë opozitës, ne PD apo PD neve, kjo është e dyanshme. Puna është se 200 mijë njerëz që besonin më 2021 te opozita nuk dolën të votonin, pra i kanë ikur Berishës dhe PD-së. Kurse për ne janë 140 mijë njerëz që na besojnë, janë rritur. Shqiptarët na dhanë neve 64 mijë vota. Për fat të keq PS mori 9 mandate me 64 mijë vota në Vlorë, kurse ne me kaq vota një mandat. Arsyeja është sistemi zgjedhor dhe shpërndarja e votës. Nuk kemi çfarë bëjmë më shumë se kaq, jemi ankuar, por është sistem i vendosur nga Rama e Berisha. Mund të bënim më shumë, bëmë sa mundeshim, ka vend edhe për kritikë. Po ankohet Berisha që kishte numërues në komisione dhe anëtarë, ka gjysmën e KAS-it dhe përsëri ankohet. Unë mendoj se zgjedhjet e ardhshme 65 mijë votat tona do bëhen 650 mijë dhe aty ku u afruam me mandate, do kemi deputetë zgjedhjet e ardhshme. E sigurt është që ata vodhën njëri-tjetrin gjatë procesit të numërimit”, u shpreh Shabani.