Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ndodhet në Vilnius, Lituani, për të marrë pjesë në samitin e udhëheqësve të vendeve lindore dhe nordike të NATO-s. Gjatë fjalimit të tij, ai theksoi se momenti aktual ofron një shans real për të përfunduar konfliktin me Rusinë, duke e cilësuar këtë si një fazë të veçantë të situatës.
Zelensky theksoi se Rusia po detyrohet të hyjë në bisedime për shkak të presionit të ushtruar nga forcat ukrainase dhe mbështetja që merr Ukraina nga komuniteti ndërkombëtar. Ai nënvizoi se humbjet që po pëson Rusia janë ato që mund ta shtyjnë drejt negociatave.
Në fjalën e tij, presidenti falenderoi vendet perëndimore për ndihmën në prodhimin dhe furnizimin me armë, duke theksuar se Evropa dhe SHBA-ja janë më të pajisura në krahasim me Rusinë. Ai shprehu optimizëm për strategjitë e Ukrainës, duke përmendur edhe sulmin e fundit me dronë në bazat ushtarake ruse, të njohur si “Operacioni Rrjeta e Merimangës”.
Ky samit në Vilnius ka për qëllim të forcojë bashkëpunimin mes vendeve anëtare të NATO-s dhe të sigurojë mbështetje të vazhdueshme për Ukrainën, ndërsa lufta në territorin e saj mbetet një nga sfidat kryesore të sigurisë në Evropë.