Milani është në prag të një lëvizjeje të bujshme në merkato, duke hyrë në bisedime serioze me Luka Modriçin. Mesfushori kroat, i lirë pas përfundimit të aventurës me Real Madridin, shihet si një përforcim i nivelit të lartë për skuadrën kuqezi.
Bisedimet mes palëve janë në rrugë pozitive, me drejtuesit e Milanit që po negociojnë një kontratë njëvjeçare me mundësi rinovimi edhe për një sezon tjetër. Edhe pse ende nuk ka firmë, marrëveshja mund të arrihet brenda pak ditësh. Pagesa e përfolur për sezonin shkon në rreth 3-3.5 milionë euro neto.
Pavarësisht moshës 39-vjeçare, Modriç mbetet një lojtar me eksperiencë të madhe, fitues i Topit të Artë dhe figurë me peshë në dhomat e zhveshjes. Milani synon të përfitojë jo vetëm nga cilësitë e tij teknike, por edhe nga ndikimi si lider për lojtarët më të rinj.
Aktualisht, Modriç ndodhet në Kroaci ku po stërvitet me kombëtaren në prag të ndeshjeve kundër Gjibraltarit dhe Çekisë. Dëshira e tij për të vijuar karrierën në nivele të larta përkon me ambicien e Milanit për të ndërtuar një skuadër të fortë për sezonin e ardhshëm.