Një profesor italian ka kërcënuar vajzën e kryeministres italiane Giorgia Meloni. 65-vjeçari Stefano Addeo, i cili jep mësim në gjuhën gjermane në një shkollë në Napoli, bëri një postim të rëndë në rrjetet sociale për vajzën e mitur të Melonit.
“Uroj që Ginevra të ketë fatin e 14 vjeçares Martina Carbonaro që u vra nga i dashuri i saj”, shkroi ai.
Autoritet italiane e kanë vënë nën hetim profesorin, i cili i ka vënë fajin ChatGTP-së. Ai ka deklaruar se nuk ka qenë ai por ChatGTP.
“Nuk isha unë, ishte Inteligjenca Artificiale. E pashë në televizor të premten që qeveria po distancohej nga lufta në Izrael. Pyeta ChatGPT-në për një mesazh kritikues ndaj Melonit dhe më doli ajo përgjigje. Më pas e postova”, ka deklaruar profesori.
Ai ka shtuar se “Unë jam katolik, mbroj të drejtat e kafshëve. Jam vegjetarian. Nuk mbështes politikat e Melonit, por kjo nuk më bën përgjegjës për atë mesazh. Dua të mbyll të gjitha rrjetet sociale, ndihem i turpëruar, dua të mbyllem në shtëpi. Ka njerëz që më kanë hedhur domate para shtëpisë. Po më shohin si një monstër. Jam shumë i shokuar, kam bërë një gjë qesharake.”