Një shtetas izraelit është ndaluar nga policia kufitare në Aeroportin e Rinasit, pasi tentoi të dilte nga territori shqiptar, me një shumë të konsiderueshme parash të padeklaruar. Policia bën me dije se 45-vjeçarit i janë sekuestruar 194 mijë euro dhe është bërë procedimi penal i tij.
“Si rezultat i kontrolleve të imtësishme në hyrje/dalje të vendit, me objektiv parandalimin dhe konstatimin e paligjshmërive në kufi, shërbimet e Policisë Kufitare të Rinasit, në bashkëpunim me shërbimet doganore, kanë goditur një tjetër rast të mosdeklarimit në pikën e kalimit kufitar, të shumave të konsiderueshme të parave. Për këtë rast u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin V. Y., 45 vjeç, me shtetësi izraelite, të cilit gjatë kontrollit në vijën e dytë iu gjetën 194.000 euro që synonte të dilte nga Republika e Shqipërisë pa i deklaruar konform ligjit”, njofton policia.