Shqipëria ndodhet përballë një transformimi të thellë demografik, ku rritja e qëndrueshme e jetëgjatësisë dhe rënia e lindshmërisë po zhvendosin përqindjen e popullsisë drejt grupmoshës mbi 65 vjeç. Ky fenomen kërkon një reagim të mirëkoordinuar politik, social dhe ekonomik për të garantuar plakjen dinjitoze si një e drejtë themelore dhe një domosdoshmëri për kohezionin shoqëror. Në këtë kontekst, qendra ALTAX e drejtuar nga zoti Eduart Gjokutaj ka realizuar një vlerësim të zgjeruar të fizibilitetit të dy politikave publike që adresojnë sfidat e plakjes në Shqipëri për periudhën 2025–2030:
Politika A – Zhvillimi i shërbimeve sociale të kujdesit për të moshuarit, të orientuara nga komuniteti dhe decentralizimi funksional;
Politika B – Nxitja e ndërgjegjësimit publik dhe përfshirjes ndërbreznore përmes fushatave sociale, arsimit dhe platformave të bashkëpunimit. Qasja e përdorur për këtë vlerësim është ndër-disiplinore dhe mbështetet mbi pesë shtylla metodologjike kryesore:
- Matrica e fizibilitetit për politika publike (Policy Feasibility Grid),
- Analiza SWOT për secilën politikë,
- Modeli BEMIP (Benefite, Efikasitet, Mundësi, Implementim, Përthithje),
- Krahasimi me direktivat e Bashkimit Evropian për plakjen aktive dhe kujdesin afatgjatë,
- Përllogaritja e kostos së ndikimit social (Social Impact Costing) nëpërmjet një takse të qëndrueshme sociale
Sipas studimit, rritja e pensioneve, ndonëse e prezantuar si hap përmirësues, nuk ka ndikuar ndjeshëm në reduktimin e varfërisë në grupmoshën 65+, për shkak të mungesës së një mekanizmi të qëndrueshëm indeksimi që lidhet me inflacionin dhe shportën bazë të konsumit.
Hendeku mes pensioneve minimale dhe atyre mesatare ka vazhduar të thellohet, duke prodhuar pabarazi të brendshme në radhët e të moshuarve, veçanërisht grave dhe atyre që jetojnë në zonat rurale. Politikat për përfshirjen sociale u realizuan në mënyrë fragmentare.
Në bashkitë më të mëdha pati aktivitetete kulturore dhe sociale sporadike, por nuk u zhvillua një sistem i qëndrueshëm mbështetjeje komunitare që të jetë funksional gjatë gjithë vitit.
Punësimi i të moshuarve, një dimension i rëndësishëm për ruajtjen e dinjitetit social dhe ekonomik pas pensionit, nuk ka qenë i integruar në strategjitë kombëtare të punësimit. Iniciativat ishin të kufizuara dhe shpesh nuk u mbështetën me masa stimuluese fiskale apo grante për vetëpunësim.
Studimi i plote i qendres ALTAX