Një ngjarje e rëndë është regjistruar këtë pasdite pranë zonës së Shkopetit, ku një 22-vjeçar ka humbur jetën në ujërat e lumit Mat. I riu dyshohet se ka qenë duke u larë kur është zhytur dhe nuk ka mundur të dalë më në sipërfaqe.
Menjëherë pas sinjalizimit, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë dhe ekipet e shpëtimit, të cilët bënë të mundur nxjerrjen e trupit nga uji. Viktima është identifikuar dhe trupi i tij është dërguar në morg për kryerjen e autopsisë.
Grupi hetimor po punon për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes, ndërsa paraprakisht mendohet se bëhet fjalë për një mbytje aksidentale.