Një grup bombarduesish strategjikë B-2 të forcave ajrore amerikane janë nisur nga baza Whiteman në Missouri gjatë natës dhe po udhëtojnë drejt Guamit, kanë bërë të ditur burime ushtarake.
Ende nuk është konfirmuar nëse avionët do të zbarkojnë në Guam apo do të qëndrojnë në gatishmëri ajrore. B-2 është një nga avionët më të avancuar të SHBA-së për misione me rreze të gjatë dhe i aftë për të transportuar armë të rënda, përfshirë bomba për depërtim në bunkerë, të përshtatshme për objektiva të fortifikuar si impianti bërthamor iranian në Fordo.
Ky zhvillim vjen ndërsa presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se brenda dy javësh do të marrë një vendim për një përgjigje të mundshme ushtarake ndaj Iranit, duke shtuar tensionet në Lindjen e Mesme. Lëvizja e bombarduesve mund të sinjalizojë përgatitje për një veprim të shpejtë.