Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës foli për procesin zgjedhor të 11 majit.
Vokshi u shpreh se në zgjedhjet e 11 majit u shkel çdo kriter i demokracisë. Ajo në një moment u përlot duke thënë se është kërcënuar bashkë me të bijën në qendrat e votimit në Vorë.
“E vërteta është më alarmante. A mund të jenë zgjedhjet demokratike kur kriteret e dokumentit të Kopenhagenit janë shkelur në mënyrë flagrante?! Kur votuesit janë presionuar nga ana e patronazhistëve apo me ndërhyrjet në procesin elektoral, kur media është plotësisht e kontrolluar. Unë kam qenë e pranishme në disa procese zgjedhore, por nuk kam parë kurrë një klimë terrori si kjo.
Në Vorë u kërcënova në mes të ditës nga kriminelë të dënuar për vrasje dhe trafik droge. Edhe koleget e mija e dinë mirë këtë. Edhe vajza ime u kërcënua para qendrës së votimit. Pavarësisht apelit në polici dhe denoncimit në SPAK, askush nuk ka reaguar deri tani. Këta kriminelë janë ende të lirë dhe unë jam e frikësuar dhe në ankth derisa vajza ime kthehet në shtëpi. Unë ju pyes, a janë këto zgjedhje të lira? Nëse nuk veprojmë tani, 28 deputetë të mbështetur nga krimi do të jenë pjesë e parlamentit. Na duhet të krijojmë një mjedis më të sigurt ku gratë mund të jenë pjesë e politikës pa frikë dhe t’i shërbejnë vendit të tyre”, tha Vokshi.