Një ngjarje e rëndë është zbardhur në provincën e Salernos, Itali, ku është gjetur trupi i pajetë i një 25-vjeçari shqiptar, i përfshirë në një tentativë për grabitje disa ditë më parë.
I riu, i cili pritej të martohej së shpejti dhe ishte baba i një fëmije, u qëllua për vdekje mbrëmjen e së dielës në Foria di Centola. Trupi i tij u zbulua pas rrëfimit të pronarit të shtëpisë së grabitur, një 60-vjeçar italian, i cili u dorëzua në prokurori dhe tregoi vendin ku e kishte fshehur trupin — një zonë afër një fushe sportive në San Severino.
Sipas dëshmisë, pas një përplasjeje me grabitësit, ai ka qëlluar me armë dhe më pas ka transportuar trupin për ta varrosur në një tokë që i përkiste vëllait të tij.
Në ngjarje janë përfshirë edhe dy shqiptarë të tjerë: një prej tyre ndodhet në spital në gjendje kritike, ndërsa i treti është ende në kërkim nga autoritetet italiane.
Hetimet janë në vijim për të zbardhur rrethanat dhe përgjegjësitë ligjore të palëve të përfshira.