Federata Shqiptare e Futbollit ka bërë një hap të rëndësishëm në mbështetjen e futbollit profesionist në vend, duke vendosur një rritje të konsiderueshme të fondeve për klubet e Superiores dhe Kategorisë së Parë.
Gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Zakonshme të FSHF-së, Presidenti Armand Duka njoftoi se për vitin 2026 do të shpërndahen 3 milionë euro për klubet, një rritje prej 30% e të ardhurave nga komercializimi.
“Do të rrisim me 30% të ardhurat nga komercializimi dhe, në vitin 2026, do të shpërndajmë 3 milionë euro për klubet e Kategorisë Superiore dhe të Parë, si mbështetje direkte financiare për përmirësimin e funksionimit të tyre,” deklaroi Duka.
Ky vendim pritet të përmirësojë standardet e menaxhimit të klubeve, të rrisë cilësinë e garës dhe të krijojë kushte më të mira për lojtarët, trajnerët dhe stafet teknike në futbollin shqiptar.
Mbështetja financiare do të shpërndahet në periudhën ndërmjet dy asambleve dhe synon të fuqizojë futbollin profesionist si një shtyllë të rëndësishme të sportit në vend.