Konstatimi kryesor i Gjykatës Kushtetuese në aktgjykimin e publikuar të enjten lidhur me seancën konstituive të legjislaturës së nëntë është se verdikti i vitit 2014 mbetet në fuqi dhe se është përcaktues për mënyrën e konstituimit të Kuvendit, ka thënë Enver Hasani, i cili asokohe ka qenë kryetar i Kushtetueses.
Në një intervistë për KOHËN, Hasani i ka përmendur dy risitë e vendimit të së enjtes. “E para, vendosja e një afati ditor brenda të cilit Kuvendi duhet të konstituohet. E dyta, domosdoshmëria për t’i respektuar praktikat parlamentare të deritanishme në procesin e konstituimit të Kuvendit. Në aspektin juridik çdo gjë është e qartë”, ka theksuar ai.
Sa i përket konstatimit se seanca konstituive e Kuvendit nuk është përmbyllur në mënyrë të rregullt dhe në përputhje me Kushtetutën, Hasani ka theksuar se akgjykimi i ka sqaruar qartë rrethanat në të cilat mund të aplikohet votimi i fshehtë. Krahas dispozitave të Kushtetutës dhe të Rregullores së Kuvendit, Gjykata e ka theksuar nevojën për respektimin edhe të praktikave parlamentare të konsoliduara në Kosovë.
Hasani ka thënë se këto praktika, në asnjë rast, nuk e kanë vënë në pikëpyetje mënyrën e votimit në fazën e konstituimit të Kuvendit.
“Kjo e nënkupton rikthimin në rrjedhën procedurale të përcaktuar më 8 prill 2025, në përputhje me standardin e vijueshmërisë institucionale – një parim i njohur dhe i zbatuar edhe në jurisprudencën e Gjykatave Kushtetuese të vendeve me traditë parlamentare, si Çekia, Gjermania, Spanja, Italia, si dhe në shtete të rajonit, si Sllovenia”, ka thënë ai.
Lidhur me afatin 30-ditor të përcaktuar në aktgjykim, Hasani ka vlerësuar se Gjykata Kushtetuese, me shumë gjasë, ka gabuar kur e ka barazuar këtë afat për thirrjen e seancës konstituive me atë për konstituimin e Kuvendit, pa i përcaktuar me saktësi pasojat juridike që rrjedhin nga mosrespektimi i tij.
Sipas Hasanit, çdo afat kushtetues apo ligjor prodhon pasojë juridike. Mungesa e një përcaktimi të qartë të këtyre pasojave nga Gjykata, siç ka thënë Hasani, e përbën një mangësi serioze metodologjike dhe profesionale, me pasoja për precedentët e ardhshëm./ KOHA