Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi denoncon mungesën e furnizimit me ujë të pijshëm në banesat e qytetarëve vlonjatë. Arsyeja, thotë ai, është korrupsioni në institucionin vendor, fajësoi SPAK për heshtjen.
“Brenda 2-3 viteve të fundit, në këtë bashki janë shpenzuar rreth 9 milionë euro për projektin e ujësjellësit të Unazës në Lungomare, 12 milionë euro për ujësjellësin e fshatrave të Novoselës, 2 milion euro për ujësjellësin që mbulon zonën e “Kuzum- Baba” dhe lagjes “Partizani”, sot e kthyer ne simbolin e mungesës së ujit të pijshëm dhe rreth 20 milionë euro pritet të hidhen për ujësjellësin e qytetit të Vlorës, në total pra rreth 43 milionë euro të avulluara, sepse sot Vlora nuk ka ujë të pijshëm, madje nuk ka as ujë për tu larë.
Dështimi i thellë i ujësjellësit të bashkisë së Vlorës në fakt është dështim i “Rilindjes”, e cila në këto 3 mandate nuk ka garantuar dot as ujë të pijshëm për vlonjatët e jo më për turistët e shumtë që janë sot në këtë qytet në kulmin e sezonit turistik.
43 milionë euro janë më pak se sa ryshfeti i paguar për tunelin e Llogarasë, që mund të zgjidhte njëherë e përgjithmonë çështjen e ujit të pijshëm në Bashkinë e Vlorës ose 43 milionë euro të shpenzuara dhe të avulluara deri tani janë të barabarta me fundin total që “Rilindja” ka përcaktuar për vitin 2025 për gjithë sektorin e bujqësisë” tha ai.









