-sidi education-spot_img
18.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Këshilli i Ministrave miraton projektligjin për vullnetarizmin

Kryesoret

Këshilli i ministrave miratoi sot projektligjin për vullnetarizëm. Ky ligj përcakton parimet bazë, rregullat për kryerjen e vullnetarizmit, të drejtat dhe detyrimet e vullnetarëve e të ofruesve të vullnetarizmit, kontratën e vullnetarizmit, organet shtetërore përgjegjëse dhe mekanizmat për nxitjen, mbështetjen e mbikëqyrjen e vullnetarizmit në Republikën e Shqipërisë.

V E N D O S I:

KREU I DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Neni 1

Objekti

Ky ligj përcakton parimet bazë, rregullat për kryerjen e vullnetarizmit, të drejtat dhe detyrimet e vullnetarëve e të ofruesve të vullnetarizmit, kontratën e vullnetarizmit, organet shtetërore përgjegjëse dhe mekanizmat për nxitjen, mbështetjen e mbikëqyrjen e vullnetarizmit në Republikën e Shqipërisë.

Neni 2

Qëllimi

Ky ligj ka për qëllim të krijojë një kuadër rregullator e institucional të favorshëm për kryerjen e vullnetarizmit dhe nxitjen e pjesëmarrjes së individëve në vullnetarizëm, zhvillimin e vlerave njerëzore dhe solidaritetin shoqëror.

Neni 3

Fusha e zbatimit

  1. Ky ligj zbatohet për:

a) të gjitha subjektet që kryejnë, ofrojnë ose përfitojnë vullnetarizëm në Republikën e Shqipërisë;

b) vullnetarizmin afatgjatë dhe afatshkurtër.

  1. Ky ligj nuk zbatohet për:

a) kryerjen e punëve ose të shërbimeve, që janë të zakonshme në familje, shoqëri apo në marrëdhëniet e fqinjësisë;

b) dhurimin e gjakut;

c) realizimin e detyrimeve të caktuara me vendim gjykate të formës së prerë;

ç) angazhimin në një program trajnimi apo formimi profesional, përpara lidhjes së kontratës së punës;

d) përcaktimin e metodologjisë së prodhimit të statistikave zyrtare mbi vullnetarizmin;

dh) partitë politike;

e) kryerjen e punëve ose të shërbimeve nga sindikatat apo shoqatat e tjera ekonomike, profesionale dhe tregtare, që synojnë realizimin e objektivave dhe të veprimtarive në interes të anëtarësisë së tyre, në bazë të parashikimeve të statutit;

ë) angazhimin dhe trajtimin e vullnetarëve në fushën e mbrojtjes civile, që kryhet sipas legjislacionit në fuqi për mbrojtjen civile.

Neni 4

Përkufizime

Në këtë ligj, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:

  1. “Grupe të veçanta”, vullnetarë apo përfitues të vullnetarizmit, si:

a) nëna nën moshën 18 vjeç;

b) persona me aftësi të kufizuara, sipas parashikimeve të Konventës së OKB-së për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara;

c) persona nga komuniteti rom dhe egjiptian;

ç) persona që i nënshtrohen trajtimit apo kujdesit shëndetësor;

d) të mitur, sipas parashikimeve të Kodit Civil;

dh) të mitur e të rinj në konflikt me ligjin, sipas parashikimeve të Kodit të Drejtësisë Penale për të Mitur;

e) të moshuar;

ë) viktima të dhunës në familje dhe viktima të dhunës me bazë gjinore;

f) viktima të trafikimit apo viktima të mundshme të trafikimit;

g) viktima të diskriminimit.

  1. “Kohëzgjatje e vullnetarizmit”, koha në të cilën vullnetari vihet në dispozicion të ofruesit të vullnetarizmit, duke përfshirë edhe kohën e trajnimit të nevojshëm për të kryer vullnetarizmin.

  2. “Ministri”/“Ministria”, ministri/ministria përgjegjëse për çështjet e punësimit.

  3. “Organizatë jofitimprurëse”, shoqata, fondacioni dhe qendra, që zhvillon veprimtarinë në mënyrë të pavarur e të pandikuar nga shteti, në përputhje me parashikimet e legjislacionit për organizatat jofitimprurëse dhe të ligjeve të veçanta.

  4. “Person”, personi fizik, sipas parashikimeve të Kodit Civil.

  5. “Program vullnetarizmi”, një grup veprimtarish apo shërbimesh, që organizohen nga ofrues të vullnetarizmit, zbatohen plotësisht apo pjesërisht nga vullnetarë dhe mbështesin realizimin e objektivave, që janë në të mirë dhe në interes të publikut apo në dobi të personave të tjerë.

  6. “Veprimtari në të mirë dhe në interes të publikut”, çdo veprimtari që mbështet e zhvillon te individi dhe shoqëria vlera shpirtërore e vlera të tjera humanitare, mbron jetën e njeriut, shëndetin e tij, siguron e realizon shërbime publike dhe sociale, ndihma dhe mbështetje në raste fatkeqësish, mbron mjedisin e zhvillon kulturën dhe edukatën ndaj tij, mbështet e zhvillon vlerat dhe traditat kulturore e historike, shkencën, arsimimin, edukimin fizik e shpirtëror, jep ndihmesë në zhvillimin e zakoneve të mira dhe të vlerave demokratike, si dhe çdo drejtim tjetër në të mirë dhe në interes të publikut.

  7. “Vullnetarizëm i drejtpërdrejtë”, kryerja nga vullnetari, me iniciativën personale dhe pa organizimin e ofruesit të vullnetarizmit, të punëve ose shërbimeve vullnetare, në të mirë dhe në interes të publikut apo në dobi të personave të tjerë.

  8. “Vullnetarizëm i organizuar”, kryerja nga vullnetari, përmes organizimit të ofruesit të vullnetarizmit, të punëve ose shërbimeve vullnetare, në të mirë dhe interes të publikut apo në dobi të personave të tjerë.

  9. “Shqetësim”, çdo sjellje e padëshiruar, kur lidhet me cilëndo nga shkaqet e përmendura në nenin 9 të këtij ligji, që ka për qëllim ose efekt cenimin e dinjitetit të personit dhe krijimin e një mjedisi frikësues, armiqësor, përçmues, poshtërues a ofendues për atë person, si dhe trajtimin më pak të favorshëm, të kryer si rezultat i kundërshtimit ose mosnënshtrimit nga ana e personit të cenuar ndaj një sjelljeje të tillë.

  10. “Shqetësim seksual”, çdo sjellje e padëshiruar verbale ose joverbale, e natyrës seksuale, e cila ka për qëllim ose sjell si pasojë cenimin e dinjitetit të personit dhe krijimin e një mjedisi kërcënues, armiqësor, përçmues, poshtërues ose ofendues për të.

Neni 5

Vullnetarizmi

  1. Vullnetarizëm është investimi me vullnet të lirë i kohës, i njohurive dhe i aftësive vetjake në kryerjen pa kundërshpërblim, në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të organizuar, të punëve ose shërbimeve në të mirë dhe në interes të publikut apo në dobi të personave të tjerë.

  2. Vullnetarizmi organizohet në formën e vullnetarizmit afatgjatë dhe të vullnetarizmit afatshkurtër.

  3. Vullnetarizmi afatgjatë organizohet nga një ofrues vullnetarizmi me kohëzgjatje të paktën 20 (njëzet) orë në javë dhe zbatim të rregullt, për të paktën tre muaj të njëpasnjëshëm.

  4. Vullnetarizmi afatshkurtër organizohet nga një ofrues vullnetarizmi me kohëzgjatje më të kufizuar se vullnetarizmi afatgjatë, por, në çdo rast, jo më të shkurtër se 1 (një) orë në javë.

  5. Çdo shtetas shqiptar dhe i huaj ka të drejtë kryejë vullnetarizëm e të japë kontribut në të mirë dhe në interes të publikut apo në dobi të personave të tjerë pa pasur nevojë të organizohet pranë ose nëpërmjet një ofruesi vullnetarizmi.

Neni 6

Vullnetari

  1. Vullnetar është çdo person, vendas ose i huaj, që, me vullnet të lirë, kryen vullnetarizëm.

  2. Vullnetar është i mituri apo një person me aftësi të kufizuara të shëndetit mendor, që kryen vullnetarizëm sipas përcaktimeve të këtij ligji.

Neni 7

Ofruesi dhe përfituesi i vullnetarizmit

  1. Ofruesi i vullnetarizmit organizon vullnetarizmin.

  2. Ofruesi i vullnetarizmit është një institucion publik, një bashkësi fetare ose një organizatë jofitimprurëse.

  3. Institucioni publik ofron vullnetarizëm, në përputhje me këtë ligj, ligje të veçanta apo në bazë të detyrimeve të përcaktuara në akte ndërkombëtare, të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë.

  4. Ofruesi i vullnetarizmit është dhe një person juridik, vendas ose i huaj, që kryen veprimtari fitimprurëse, i cili, në ofrimin e vullnetarizmit, nuk synon fitimin dhe plotëson kushtet e përcaktuara në nenin 24 të këtij ligji.

  5. Ofruesi i vullnetarizmit, i përcaktuar në pikën 2 të këtij neni, angazhon vullnetarët vetëm në veprimtari, që janë në të mirë dhe në interes të publikut apo në dobi të personave të tjerë.

  6. Ofruesi i vullnetarizmit përcakton nevojën për angazhimin e vullnetarëve, natyrën dhe sasinë e punëve apo shërbimeve vullnetare të kërkuara, si dhe mënyrën e kryerjes së vullnetarizmit, bazuar në programin e vullnetarizmit.

  7. Ofruesi i vullnetarizmit në programet e Bashkimit Evropian apo në programet e tjera ndërkombëtare në fushën vullnetarizmit përcaktohet në bazë të rregullimeve të këtyre programeve.

  8. Përfituesi i vullnetarizmit është një person, një institucion publik, një bashkësi fetare ose një organizatë jofitimprurëse.

KREU II

PARIMET BAZË

Neni 8

Parimi i njohjes dhe i mbështetjes së vullnetarizmit

  1. Vullnetarizmi njihet dhe mbështetet në Republikën e Shqipërisë si një veprimtari me vlerë të lartë shoqërore, që kontribuon në përmirësimin e cilësisë së jetesës, zhvillimin e personalitetit njerëzor dhe përfshirjen e individëve në ndërtimin e një shoqërie demokratike, të drejtë dhe solidare.

  2. Fëmijët dhe të rinjtë, që janë pjesë e sistemit arsimor në Republikën e Shqipërisë dhe që marrin pjesë në programet e edukimit joformal të mbështetur nga shteti, mbështeten që të fitojnë njohuri mbi konceptet, vlerat dhe rëndësinë e vullnetarizmit, të kryejnë vullnetarizëm dhe të fitojnë përvojën vullnetare, si dhe të përfitojnë kualifikime të përshtatshme për vullnetarizmin, solidaritetin shoqëror dhe qytetarinë aktive.

Neni 9

Parimi i trajtimit të barabartë dhe mosdiskriminimit të vullnetarit dhe përfituesit të vullnetarizmit

  1. Ofruesi i vullnetarizmit trajton çdo vullnetar në bazë të parimit të barazisë dhe mosdiskriminimit në lidhje me racën, etninë, ngjyrën, gjuhën, shtetësinë, bindjet politike, fetare ose filozofike, gjendjen ekonomike, arsimore ose shoqërore, gjininë, identitetin gjinor, orientimin seksual, karakteristikat e seksit, jetesën me HIV/AIDS, shtatzëninë, përkatësinë prindërore, përgjegjësinë prindërore, moshën, gjendjen familjare ose martesore, gjendjen civile, vendbanimin, gjendjen shëndetësore, predispozicionet gjenetike, pamjen e jashtme, aftësinë e kufizuar, përkatësinë në një grup të veçantë ose me çdo shkak tjetër.

  2. Trajtimi i ndryshëm i vullnetarëve nuk përbën diskriminim kur parashikohet shprehimisht në këtë ligj apo ligje të tjera të posaçme.

  3. Ofruesi i vullnetarizmit dhe vullnetari trajtojnë çdo person, që është përfitues i vullnetarizmit, në bazë të parimit të barazisë dhe mosdiskriminimit në lidhje me racën, etninë, ngjyrën, gjuhën, shtetësinë, bindjet politike, fetare ose filozofike, gjendjen ekonomike, arsimore ose shoqërore, gjininë, identitetin gjinor, orientimin seksual, karakteristikat e seksit, jetesën me HIV/AIDS, shtatzëninë, përkatësinë prindërore, përgjegjësinë prindërore, moshën, gjendjen familjare ose martesore, gjendjen civile, vendbanimin, gjendjen shëndetësore, predispozicionet gjenetike, pamjen e jashtme, aftësinë e kufizuar, përkatësinë në një grup të veçantë ose me çdo shkak tjetër.

  4. Kur një person pretendon se është cenuar nga moszbatimi i parimit të trajtimit të barabartë në ushtrimin e së drejtës për kryerjen ose përfitimin e vullnetarizmit, sipas këtij ligji, ndjek procedurën e ankimit, të përcaktuar në legjislacionin në fuqi për mbrojtjen nga diskriminimi.

Neni 10

Parimi i mbrojtjes së personalitetit të vullnetarit dhe përfituesit të vullnetarizmit

Ndalohet çdo lloj shqetësimi, përfshirë dhe shqetësimin seksual, i kryer nga ofruesi i vullnetarizmit kundrejt vullnetarit ose përfituesit të vullnetarizmit, ndërmjet vullnetarëve apo ndërmjet vullnetarit e përfituesit të vullnetarizmit.

Neni 11

Parimi i mbrojtjes së të dhënave personale

Përpunimi i ligjshëm i të dhënave personale të vullnetarëve dhe përfituesve të vullnetarizmit bëhet duke respektuar e garantuar të drejtat dhe liritë themelore të tyre, sipas parashikimeve të legjislacionit për mbrojtjen e të dhënave personale.

Neni 12

Parimi i ndalimit të shfrytëzimit të vullnetarit

  1. Ndalohet vullnetarizmi, që synon zëvendësimin e punëve ose të shërbimeve, që kryhen në mënyrë të zakonshme nga punëmarrësit apo që kontraktohen rregullisht si shërbime të jashtme nga ofruesi i vullnetarizmit.

  2. Ndalohet përdorimi dhe shfrytëzimi i vullnetarëve për qëllime fitimi.

  3. Ndalohet vullnetarizmi me kohëzgjatje më të madhe se 40 (dyzet) orë në javë.

  4. Ndalohet vullnetarizmi me kohëzgjatje 40 (dyzet) orë në javë dhe zbatim të rregullt, për tre muaj të njëpasnjëshëm, nëse nuk shoqërohet në vijim nga një pushim për të paktën dy muaj të njëpasnjëshëm.

  5. Ndalohet vullnetarizmi me kohëzgjatje më të madhe se 10 (dhjetë) orë në ditë dhe zbatim për tre ditë të njëpasnjëshme, nëse nuk shoqërohet në vijim nga një pushim, për të paktën tre ditë të njëpasnjëshme.

Neni 13

Parimi i mbështetjes mbi vullnetin e lirë dhe ndjenjën solidare

  1. Vullnetarizmi nënkupton kryerjen e punëve apo të shërbimeve vullnetare, mbështetur mbi vullnetin e lirë dhe ndjenjën solidare të vullnetarit.

  2. Vullnetarizmi, që nuk mbështetet mbi vullnetin e lirë dhe të plotë të vullnetarit, nuk konsiderohet vullnetarizëm, sipas përcaktimeve të këtij ligji.

Neni 14

Parimi i vullnetarizmit pa përfitim material

  1. Vullnetarizmi kryhet pa shpërblim monetar, pa shpërblim në natyrë apo një formë tjetër përfitimi material, përgjatë kohëzgjatjes së vullnetarizmit ose me përfundimin e tij, përveçse kur ky ligj parashikon ndryshe.

  2. Vullnetarizmi që kryhet bazuar mbi premtimin ose dhënien, drejtpërdrejt ose tërthorazi, të çdo lloj forme përfitimi material, nuk konsiderohet vullnetarizëm, sipas përcaktimeve të këtij ligji.

  3. Nuk konsiderohet përfitim material kompensimi i vullnetarit për shpenzimet e kryera dhe të dokumentuara gjatë vullnetarizmit, sipas rasteve të mëposhtme:

a) Shpenzime për sigurimin e veshjeve, mjeteve ose pajisjeve të nevojshme për ruajtjen e shëndetit të vullnetarit apo për kryerjen e vullnetarizmit;

b) Shpenzime për udhëtimin, akomodimin, ushqimin ose çdo shpenzim tjetër, të përballuar nga vullnetari gjatë kryerjes së vullnetarizmit;

c) Shpenzime për ushqimin, kujdesin dhe trajnimin e kafshëve në pronësi të vullnetarit dhe që përdoren për kryerjen e vullnetarizmit;

ç) Shpenzime për kontrollet mjekësore dhe shërbimet spitalore, kur nevojiten për kryerjen e vullnetarizmit;

d) Shpenzime për pjesëmarrjen në një program trajnimi apo edukimi të ofruar jashtë sistemit arsimor, kur lidhet me kryerjen e vullnetarizmit;

dh) Shpenzime për sigurimin e jetës e të shëndetit të vullnetarit, si dhe për sigurimin për shpërblim dëmi të shkaktuar ndaj ofruesit të vullnetarizmit ose ndaj të tretëve;

e) Rimbursim të shpenzimeve personale, përllogaritur në masën deri në 30 % të vlerës neto të pagës minimale në shkallë vendi, të përcaktuar në kontratën e vullnetarizmit;

ë) Shpenzime për pjesëmarrjen dhe mbulimin e kostove të tjera, të parashikuar në një program të Bashkimit Evropian apo program tjetër ndërkombëtar në fushën vullnetarizmit.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit