Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani mori pjesë në konferencën kombëtare “Dimensioni i integritetit në funksionin e magjistratit.
Metani gjatë fjalës së tij u ndal tek ndërhyrjet e drejtpërdrejta dhe të tërthorta në pushtetin gjyëqsor, të cilat duhet të eleminohen. Ai tha se pavarësia e magjistratëve duhet të shoqërohet me një sistem llogaridhënës efektiv.
“Sfida më e madhe sot e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë është të ruajë pavarësinë e tij institucionale, si dhe të jetë një kontribuues i rëndësishëm në garantimin e pavarësisë së pushtetit gjyqësor, në një mjedis ku ndikimi apo ndërhyrjet e drejtpërdrejta ose të tërthorta ndaj pushtetit gjyqësor nuk janë të panjohura. Për të mos u shndërruar në një mjet presioni ndaj magjistratëve dhe pushtetit gjyqësor, ILD po përpiqet të zbatojë standardet më të larta të procesit të rregullt ligjor, të sigurojë transparencë në procedurat e zhvilluara nga ana e tij, si dhe të dëshmojë integritet në çdo vendimmarrje. Këtë mekanizëm llogaridhënës, ILD po përpiqet të konceptojë dhe të aplikojë në mënyrë institucionale, të drejtë dhe të qëndrueshme, si forma më e lartë e përgjegjshmërisë publike të magjistratëve. Roli i ILD-së nuk duhet parë thjesht në dimensionin ndëshkues disiplinor, por në një prizëm më të gjerë edukues dhe parandalues, në funksion të krijimit të një kulture të lartë etike dhe profesionale në pushtetin gjyqësor. Në këtë mënyrë, ky institucion po angazhohet të shndërrohet në një mbështetës të vërtetë të parimeve të shtetit të së drejtës, duke ruajtur ekuilibrin e ndjeshëm mes llogaridhënies dhe pavarësisë të pushtetit gjyqësor”, tha Metani.