Pesë fshatra në Njësinë Administrative Martanesh, Bashkia Bulqizë, rrezikojnë izolimin total për shkak të shembjes së rrugës që lidhet me dëmtimin e tubacionit të një hidrocentrali. Rruga është bërë pothuajse e pakalueshme, ndërsa banorët kanë protestuar duke kërkuar ndërhyrje urgjente, pasi prej gjashtë ditësh njoftojnë pa rezultat institucionet përkatëse.
Shembja e tokës ka rrezikuar edhe banesat në fshatin Gjon dhe ka dëmtuar kanalin vaditës, duke lënë mbjellat pa ujë në temperatura shumë të larta. Kryetari i fshatit Gjon, Kasem Muça, thotë se nuk ka marrë ende përgjigje nga institucionet. Rruga e asfaltuar para dy vitesh lidh fshatrat Gjon, Peshk, Val, Lenë dhe Balenj me qytetin e Krastës.