Lidhja Demokratike e Kosovës i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese t’i sqarojë normat kushtetuese dhe të rregullores së punës së Kuvendit të Kosovës në lidhje me vazhdimin e seancës konstituive nga 29 qershor, pas një aktgjykimi nga gjykata më e lartë e vendit.
LDK – e cila doli e treta në zgjedhjet parlamentare – beson se vazhdimet e fundit të seancës konstituive janë bërë “në kundërshtim të plotë” me Kushtetutën e Kosovës dhe me konstatimet e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese nga 26 qershori.
Duke folur për gazetarë pasi e dorëzoi lëndën në Kushtetuese, Shkëmb Manaj tha se kryesuesi i seancës konstitutive duhet ta drejtojë seancën në përputhje me rendin e ditës, duke mos kërkuar votim të fshehtë për emërimin e kryetarit të Kuvendit.
“Nuk ka vullnet politik që mund ta ndryshojë rendin e ditës së seancës konstituive sepse kjo është e përcaktuar me rregulloren e punës së Kuvendit dhe Gjykata Kushtetuese ka vlerësuar se ky akt i nënshtrohet vlerësimit të kushtetutshmërisë”, tha Manaj.
LDK është partia e dytë, pas Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) që i drejtohet Kushtetueses në lidhje me vazhdimet e seancës konstituive pas aktgjykimit të Kushtetueses nga 26 qershorit, i cili, ndër të tjera, i urdhëroi deputetët ta bëjnë Kuvendin brenda 30 ditësh.
Kushtetuesja ka 60 ditë kohë për t’iu përgjigjur kërkesës së LDK-së, por Manaj tha se shpreson se ajo do të kthejë përgjigje para 26 korrikut – që është afati i fundit i caktuar nga gjykata më e lartë e vendit për konstituimin e Kuvendit.
Kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari – i cili vjen nga partia fituese Lëvizja Vetëvendosje – kërkoi krijimin e një komisioni për votim të fshehtë për kryeparlamentar, pasi kandidatja e LVV-së nuk i mori 61 votat e nevojshme në disa tentime në votim të hapur.
Partitë më të mëdha opozitare, PDK, LDK dhe AAK, e kundërshtojnë këtë mënyrë votimi dhe argumentojnë se aktgjykimi i Kushtetueses nuk e lejon një gjë të tillë dhe kërkojnë votim të hapur.
LVV ngul këmbë se aktgjykimi e lejon këtë lloj votimi dhe nuk heq dorë.
Mosmarrëveshjet rreth mënyrës së votimit ka bërë që të ngecë procesi i konstituimit të Kuvendit edhe katër muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve.
Deri tani deputetët janë mbledhur plot 41 herë në përpjekje për ta konstituuar Kuvendin, por secili tentim i tyre nuk ka zgjatur më shumë tre minuta përafërsisht.
Më herët gjatë ditës, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se ekipi i saj ligjor ka ardhur në përfundim se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese nuk e përjashton mundësinë e votimit të fshehtë për kryetar të Kuvendit, por shtoi se për këtë nevojitet pajtueshmëri nga të gjithë deputetët paraprakisht.
Profesori Kadri Kryeziu, ish-nënkryetar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, tha të premten për Radion Evropa e Lirë se problemi kryesor i moskonstituimit është politik dhe jo kushtetues.
Ai theksoi se përgjegjësinë e mbajnë të gjitha partitë, por më së shumti partia fituese në zgjedhjet parlamentare – Lëvizja Vetëvendosje. Sipas tij, nëse Kuvendi nuk konstituohet brenda 20 ditësh, vendi do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.
Presidentja Osmani mbajti takime konsultative me të gjitha partitë parlamentare të mërkurën dhe enjten, por ato nuk u duk se prodhuan rezultat.
Liderët e të gjitha partive parlamentare përsëritën qëndrimet e njohur ta partive të tyre përkatëse kur folën pas takimit me Osmanin./REL