Asnjë nga zgjedhjet që ajo bëri për të trajtuar krizën greke nuk do të ndryshonte nëse do të mund të kthehej pas në kohë, thotë Angela Merkel, saktësisht dhjetë vjet pas verës dramatike të vitit 2015 dhe ndërsa ajo është jashtë skenës politike kryesore.
Ish-kancelarja gjermane, në një intervistë që dha për SKAI iu referua gjatë se si e përjetoi atë periudhë dhe, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarit, pohoi se nuk do t’u kërkonte falje grekëve, por do t’u thoshte “faleminderit” atyre që duruan dhe e mbajtën vendin brenda eurozonës.
Ajo vetë deklaroi se ishte lënduar nga fakti që shtypi grek i kohës, si dhe demonstruesit, e lidhnin me nazizmin. Megjithatë, tha ajo, ishte lënduar edhe nga fakti që dëgjoi se grekët ishin dembelë.
“Jo, nuk do të kërkoja falje sepse besoja se diçka duhej të ndryshonte dhe se nuk mund ta ndryshoja politikën greke. Kjo duhej bërë brenda vendit. Por do të doja të thoja se i kuptoj dhe i falënderoj të gjithë ata që mbajtën një barrë të tillë për të qëndruar në eurozonë dhe në këtë mënyrë i ofruan Evropës një shërbim të mirë. Ne mbetëm të bashkuar në këtë situatë të vështirë.
Kjo është arsyeja pse doja t’ju falënderoja dhe të thoja se isha plotësisht e vetëdijshme për atë që po kalonin shumë njerëz “, tha ish-kancelarja gjermane kur u pyet nëse do t’u kërkonte falje grekëve për atë që kaluan gjatë krizës.