Ministria e Mbrojtjes njoftoi se gjatë ditës së 8 korrikut 2025 janë regjistruar 15 vatra zjarri në të gjithë vendin. Ndërkohë, 11 prej tyre janë shuar plotësisht falë punës intensive të forcave zjarrfikëse dhe ushtarake, ndërsa 4 vatra mbeten aktive në qarqet Vlorë, Berat dhe Dibër.
Në Vlorë, zjarri në zonën “Sotiran” mes fshatrave Tragjas dhe Dukat është ende aktiv në sipërfaqe me shkurre, por nuk rrezikon zonat e banuara. Forcat po mbështeten edhe nga helikopteri Cougar dhe 40 efektivë ushtarakë.
Në Berat, zjarri në fshatin Zgërbonjë vazhdon të jetë aktiv, por nuk paraqet rrezik për banorët, ndërsa përfshihen në shuarje mbi 30 zjarrfikës dhe forca të tjera nga Bashkia dhe Forcat e Armatosura.
Në Dibër, po punohet për shuarjen e dy zjarreve: në “Fusha e Peladhisë” dhe në Parkun Kombëtar Lurë. Përveç punonjësve të administratës dhe vullnetarëve, edhe helikopteri Cougar po ndihmon në operacionet e shuarjes.