Në Theth IKMT po vazhdon heqjen e objekteve të ndërtuara pa leje, por një banor me aftësi të kufizuara ka bllokuar aksionin duke u shtrirë në mes të rrugës.
Ai i ka bërë thirrje kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të Bashkisë Shkodrës, Benet Beci, që të ndërhyjnë për të mos i prishur shtëpitë e tij prej druri, të ndërtuara me kredi dhe borxhe.
“Nuk ka beton fare. Unë jam i vdekur nëse mi prishin. Jam 200 milion lekë borxh. Ju lutem shumë, Edi Rama dhe Benet Beci, më ndihmoni. I bëj thirrje shtetit të vijë të vërë dorë, se po më prishin shtëpitë prej druri, duke më nxjerrë në rrugë të madhe. Më mirë të më hipë fadroma sipër, të vdes unë më mirë. Të vijnë t’i shohin – janë të gjitha prej druri, me kredi e borxhe, dhe duan të mi prishin. Thirrje Edi Ramës, Benet Becit, ju lutem, live, bota mbarë të shohë çfarë po bëjnë. Jam i vdekur – 200 milionë borxh! Nën goma do futem këtu. Janë shtëpi druri. Kanë thënë të ndërtojmë pa beton. Ja ku janë! Duan të mi prishin. Ku të shkojmë? Unë po vdes nëse mi prishin, po vdes këtu. Thirrje për ndihmë Benet Becit, Edi Ramës – çfarë është ky muhabet, nuk ka beton fare.”
Edhe motra e tij u shpreh: “Këto pesë shtëpi i kemi ndërtuar me kredi, dhe nuk do e lëshojmë këtë tokë, sepse është toka e babait dhe gjyshit tonë. Kulla e ngujimit është e gjyshit tonë. Jemi ‘dem baba dem’ prej Thethi. As e kemi zaptuar, as e kemi marrë padrejtësisht. Na kanë thënë të ndërtojmë pa beton – s’ka beton, janë vetëm dërrasa dhe llamarina. Shikojeni vëllain tim – pa këmbë, pa dorë, e ka vra zoti. Tani po e vret dhe shteti. Na kanë stresuar dhe na kanë mërzitur. Ç’na duhet kjo jetë – për të përfunduar në spitale? Pasha të madhin Zot, do vdes nën fadromë.”