Vazhdojnë kërkimet në Teksas, pesë ditë pas përmbytjeve të papritura që lanë pas mbi 110 të vdekur, përfshirë shumë fëmijë. Guvernatori Greg Abbott njofton se numri i të zhdukurve ka shkuar mbi 170, ndërsa prej së premtes nuk është gjetur asnjë i mbijetuar.
Situata më kritike është në qarkun Kerr, ku niveli i lumit Guadalupe u rrit me 8 metra brenda pak orësh, duke përmbytur qytetin Kerrville dhe zonat përreth. Sherifi Larry Leitha njoftoi se 95 viktima janë konfirmuar aty, mes tyre 36 fëmijë, përfshirë 27 vajza dhe kujdestarët e tyre nga kampi Camp Mystic pranë lumit.
Autoritetet paralajmërojnë se numri i viktimave mund të rritet teksa uji tërhiqet dhe ekipet vijojnë kërkimet mes rrënojave.