Presidenti amerikan Donald Trump ka reaguar sërish në mbështetje të ish-presidentit brazilian Jair Bolsonaro, i cili aktualisht përballet me akuza për përpjekje për grusht shteti. Nga Shtëpia e Bardhë, Trump deklaroi se Bolsonaro po “hetohet padrejtësisht” dhe e cilësoi si “një njeri të ndershëm”.
“Unë i njoh të ndershmit, ashtu siç i njoh të korruptuarit,” u shpreh Trump, duke përsëritur retorikën e tij të njohur për “gjueti shtrigash” kundër kundërshtarëve të tij politikë – këtë herë në mbrojtje të aleatit të tij në Brazil.
Tensionet mes SHBA-së dhe Brazilit janë rritur më tej pas vendimit të Trump për të vendosur tarifa 50% mbi importet braziliane, që pritet të hyjnë në fuqi më 1 gusht. Lajmi është konfirmuar nga një letër zyrtare që Trump i ka dërguar presidentit aktual brazilian, Luiz Inacio Lula da Silva.
Lula reagoi duke thënë se nuk do të lejojë që SHBA të ndërhyjë në punët e brendshme të vendit të tij dhe se do të kërkojë zgjidhje përmes dialogut. Megjithatë, ai paralajmëroi se Brazili do të kundërpërgjigjet nëse tarifa të reja vendosen.
“Do të përpiqemi të zgjidhim gjithçka përmes dialogut, por nëse SHBA na godet, ne do të përgjigjemi,” u shpreh Lula.