Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, mori pjesë në ceremoninë e prezantimit të Vëllimit II të Udhërrëfyesit për Jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese, një botim i cili konsolidon vendimet kyçe të GJK-së që nga krijimi i saj në vitin 1992.
Ky dokument shërben si një mjet i rëndësishëm për të kuptuar dhe zbatuar parimet kushtetuese dhe rolit të Gjykatës Kushtetuese në forcimin e shtetit të së drejtës dhe demokracisë në Shqipëri.
Në fjalën e saj, Zaçaj theksoi rëndësinë e këtij botimi, duke e cilësuar si më shumë se një përmbledhje.
Fjala e plotë:
Është një nder i veçantë të jem këtu sot, ndërsa shënojmë një hap të rëndësishëm me prezantimin e Volumit II të Udhërrëfyesit të Gjykatës Kushtetuese – një instrument gjithëpërfshirës që konsolidon jurisprudencën e Gjykatës që nga krijimi i saj në vitin 1992.
Udhërrëfyesi është shumë më tepër se një botim: është i pari i këtij lloji që organizon në mënyrë sistematike vendimet e Gjykatës, duke përfshirë gjithçka: nga parimet themelore kushtetuese, liritë dhe të drejtat e njeriut, organizmin, funksionimin dhe parimet mbi të cilat ushtrojnë veprimtarinë institucionet shtetërore, në këndvështrim të ndarjes dhe balancimit të pushteteve, duke siguruar transparencë e akses në drejtësinë kushtetuese, si dhe duke ofruar një mjet të nevojshëm për të kuptuar evolucionin e saj në Shqipëri.
Ky Udhërrëfyes është një dëshmi e gjallë e trashëgimisë së drejtësisë kushtetuese të Shqipërisë, e pasqyruar në vendimet kyçe të Gjykatës Kushtetuese. Shumë nga këto vendime janë shtyllat themelore të drejtësisë shqiptare, duke shënuar momente vendimtare në zhvillimin demokratik të vendit çka u jep atyre edhe një rëndësi historike. Ato pasqyrojnë sfidat e vazhdueshme të shoqërisë sonë dhe të reformave të ndërmarra, duke vënë në pah rolin e pazëvendësueshëm të Gjykatës Kushtetuese në mbrojtjen e demokracisë, të drejtave të njeriut dhe vlerave njerëzore që janë sanksionuar në tekstin e Kushtetutës tonë.
Për herë të parë, jurisprudenca e plotë e Gjykatës Kushtetuese bëhet e aksesueshme në një format të strukturuar dhe gjithëpërfshirës, duke mundësuar një kuptim më të mirë dhe një përdorim praktik të parimeve e standardeve kushtetuese.
Ky dokument shërben si një burim i rëndësishëm reference për disa arsye:
Së pari, për vet Gjykatën Kushtetuese – Udhërrëfyesi është konceptuar si një dokument pune, i cili ndihmon dhe lehtëson analizën dhe kërkimin shkencor, ashtu edhe shkrimin e arsyetimin ligjor. Përveçse një hapësirë për reflektim dhe vetëvlerësim, përmes një shqyrtimi sistematik të vendimeve tona ne forcojmë integritetin dhe autoritetin e tyre, duke ofruar një referencë të çmuar për jurisprudencën e ardhshme.
Së dyti, për gjykatat e zakonshme – Udhërrëfyesi ofron një pikë referimi të qartë në ushtrimin e veprimtarisë gjyqësore, interpretimin tonë të dispozitave kyçe kushtetuese. Ai është një mjet thelbësor që parandalon fragmentimin e arsyetimit ligjor dhe siguron që gjykatat të garantojnë dhe respektojnë të drejtat themelore përmes këtij interpretimi kushtetues, në kuptim të parimit të subsidiaritetit që udhëheq raportet ndërmjet juridiksionit kushtetues dhe atij të zakonshëm gjyqësor.
Së treti, për prokurorët – Për shkak të rolit kyç që kanë prokurorët në zbatimin e ligjit, Udhërrëfyesi ndihmon në orientimin e duhur të veprimtarisë së tyre gjatë procedurave penale të cilat, për sa kohë mund te sjellin kufizime të lirive dhe të drejtave themelore të individit, duhet të kryhen brenda kufijve dhe garancive kushtetuese. Udhërrëfyesi është ne fakt një kujtesë e vazhdueshme se drejtësia duhet të realizohet vetëm përmes ketyre garancive.
Së katërti, për avokatët dhe praktikantet e ligjit – Udhërrëfyesi ofron një burim të vlefshem për të interpretuar saktë ligjin kushtetues si dhe qartësi mbi standardet dhe precedentët, për një aplikim të duhur të këtyre të fundit. Ai ndihmon avokatët të këshillojnë dhe të përfaqësojnë sa më mirë interesat e klientëve të tyre, duke rritur edhe cilësinë e kërkesave kushtetuese.
Së pesti, për institucionet ekzekutive – Udhërrëfyesi ofron qartësi se si parimet kushtetuese duhet të udhëheqin vendimmarrjen ekzekutive, duke siguruar që politikat dhe veprimet e kësaj dege të pushtetit të reflektojnë angazhimin për sundimin e ligjit dhe të drejtat e qytetarëve. Duke përdorur këtë dokument, institucionet ekzekutive mund të veprojnë me më shumë përgjegjshmëri, transparencë dhe respekt për vlerat kushtetuese, duke forcuar më tej rolin e tyre në ruajtjen e demokracisë.
Së gjashti, për qytetarët dhe shoqërinë civile – Udhërrëfyesi bën të aksesueshme dhe të kuptueshme parimet kushtetuese duke u mundësuar qytetarëve të angazhohen më mirë për mbrojtjen e të drejtave të tyre. Ai forcon besimin e publikut në sistemin e drejtësisë duke siguruar që vendimet e Gjykatës Kushtetuese të mos jenë vetëm koncepte abstrakte, por instrumente mbrojtjeje, konkrete dhe praktike, të të drejtave dhe lirive të individit.
Së fundi, për studiuesit dhe akademikët – Udhërrëfyesi ofron një thesar të pasur dhe të strukturuar dijesh – një burim të paçmuar për studimin e zhvillimit të së drejtës kushtetuese në Shqipëri. Ai fton për analizë më të thellë dhe inkurajon e nxit kritikën e shëndoshë dhe debatin akademik mbi drejtësinë kushtetuese, rolin e pushteteve të shtetit dhe dinamikat midis institucioneve shtetërore.
Duke diskutuar për ndikimin e thellë të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, është e rëndësishme të theksojmë se këto vendime nuk janë thjesht me vlerë historike—ato vazhdojnë të formësojnë dhe pasurojnë peizazhin aktual ligjor përmes autoritetit të tyre precedencial.
Këto vendime kanë udhëhequr arsyetimin e sotëm ligjor e gjyqësor, por Gjykata, në interpretimin e Kushtetutës si një “instrument i gjallë” kujdeset që teksti i saj të jetë i aftë të përshtatet me sfidat dhe zhvillimet e reja, duke zhvilluar kështu edhe konceptet e saj.
Është po aq e rëndësishme të nënvizohet se autoriteti i këtyre vendimeve nuk është teorik. Përpjekjet për të kundërshtuar apo për të vënë në diskutim ekzekutimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese jo vetëm minojnë besimin e publikut në sistemin e drejtësisë, por edhe destabilizojnë qeverisjen demokratike.
Mos të harrojmë – Vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk janë as këshilluese, as opsionale për t`u zbatuar—ato janë të detyrueshme dhe ekzekutimi i tyre përbën një detyrim kushtetues për të gjitha pushtetet.
Dështimi në ekzekutimin e këtyre vendimeve vë në diskutim vetë Kushtetutën dhe kërcënon integritetin e sundimit të ligjit, i cili kërkon që të gjitha institucionet shtetërore, jo vetëm të respektojnë vendimet e Gjykatës por edhe të veprojnë në shina kushtetuese.
Kjo vlen gjithashtu per te mbajtur në vëmendje se kur institucionet përfshirë edhe ato gjyqësore krijojnë konflikte kushtetuese apo veprojnë jashtë kuadrit kushtetues – kjo minon vet legjitimitetin e sistemit ligjor dhe gërryen besimin e publikut.
Ndaj Kushtetutshmëria si mënyrë të qëni dhe të sjelluri është pasaporta jonë e vetme në rrugën e integrimit drejt Evropës së Bashkuar.
Ne jetojmë në një moment historik jo vetëm në Shqipëri por edhe në botë dhe na duhet të kujtojmë se vetëm demokracia, nuk mjafton.
Sundimi i shumicës, edhe kur është i ligjshëm, mund të çojë në ligje që kufizojnë ose shkelin të drejtat themelore. Prandaj, është e domosdoshme që demokracia të jetë kushtetuese, me kufij për pushtetet, respekt të sundimit të ligjit dhe një pushtet gjyqësor të pavarur.
Vetëm kështu demokracia nuk është thjesht dhe vetëm një mekanizëm qeverisës por një kulturë lirie, përgjegjshmëria dhe llogaridhënijeje.
Megjithate, edhe vetë Kushtetuta, sado perfekte të jetë, nuk është e mjaftueshme. Është Gjykata Kushtetuese ajo që i jep kuptim, zbatim dhe mbrojtje asaj. Duke interpretuar vlerat mbi të cilat mbështeten dinjiteti njerëzor, barazia, liria dhe drejtësia, ajo siguron që parimet kushtetuese dhe të drejtat themelore të ruhen dhe te garantohen.
Në këtë këndvështrim, do të doja të theksoja se mbetet një sfidë e vazhdueshme që drejtësia të jetë jo vetëm e drejtë, por mbi të gjitha kushtetuese. Duhet të mbajmë mend se qëllimi nuk justifikon mjetet. Drejtësia që nuk respekton parimet themelore të Kushtetutës rrezikon të bëhet një mjet pushteti në vend që të jetë një mjet mbrojtjeje dhe ligjshmërie.
Të drejtat dhe liritë themelore nuk mbrohen sepse njihen nga shteti; përkundrazi, ato janë universale dhe duhet të respektohen për të gjithë dhe nga të gjithë—pa përjashtim. Një sistem drejtësie që nuk u jep përparësi të drejtave të njeriut rrezikon te humbasë kredibilitet pavarësisht rezultateve. Vetëm duke respektuar dhe garantuar këto të drejta mund të ndërtojmë një sistem drejtësie legjitim, kushtetues dhe me besim ndër qytetarët.
Përpara se të përfundoj, do të doja të ndaja me ju diçka personale. Që nga momenti kur mora detyrën si gjyqtare kushtetuese kuptova boshllëkun dhe nevojën urgjente për një instrument të tillë si Udhërrëfyesi i jurisprudencës kushtetuese. Në një vizion të përbashkët me kolegët e mi gjyqtarë, ky Udhërrëfyes vjen sot si një premtim i mbajtur dhe një angazhim i realizuar—një arritje e prekshme që do të shërbejë dhe frymëzojë brezat e ardhshëm.
Në fund, por jo për nga rëndësia, me lejoni të shpreh mirënjohjen time të sinqertë ndaj Pranisë së OSBE-së në Shqipëri, e cila mundësoi ekspertizën e jashtme dhe kontributin e çmuar të ekspertëve të së drejtës shqiptare. Po kështu i gjithë materiali i është nënshtruar shqyrtimit dhe verifikimit nga vetë trupa e gjyqtarëve.
Përpara se t’i kaloj fjalën Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, të cilën e falënderoj për praninë e saj dhe për mesazhet që do të përcjellë, dëshiroj të përsëris se Gjykata Kushtetuese është e angazhuar plotësisht për të ruajtur dhe zhvilluar jurisprudencën e saj, duke pasqyruar standardet me të larta ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe të drejtësisë kushtetuese europiane dhe botërore, ndërkohë që rrit transparencën dhe siguron që vendimet e saj të mbrojnë dhe forcojnë demokracinë dhe shtetin e së drejtës në Shqipëri.
/5pyetjet.al