Kryeministri Edi Rama, në takimin me deputetët dhe drejtorët e Bashkive të qarkut Tiranë, u ndal tek situata e ndërtimeve pa leje në Theth.
Ai theksoi se nuk bëhet fjalë për banorë lokalë që kanë ndërtuar për nevoja banimi, por për individë që synojnë përfitime ekonomike. Rama shtoi se nuk ka arsye për të amnistuar ata që shkelin ligjin dhe nuk duhet fajësuar shteti.
“Janë ndërtime për fitim, jo për të futur kokën,” tha Rama, duke shtuar se Policia po heton se si ka ndodhur “pushtimi kriminal i qendrës dhe zemrës së Thethit.”
Ai gjithashtu bëri me dije se deri tani janë goditur 40 subjekte në Theth, disa prej të cilave me më shumë se një ndërtesë, dhe se ka shumë denoncime në prokurori për të cilat nuk është ndërmarrë ende asnjë veprim.