I penduari i tretë në dosjen “Plumbi i Artë”, Skerdi Tasi, ka dëshmuar sot në Gjykatën e Apelit për Krimet e Rënda, ku ka rrëfyer detaje të rëndësishme për atentatet ku është përfshirë dhe për personat që kanë lidhje me ngjarjet.
Gjatë seancës, ai ka treguar sesi ka dështuar tentativi për të vrarë Aredin Beharin, i cili sipas tij, ishte porositur nga Renato Çami.
Skerdi Tasi tha “Unë kur qëllova isha 1 metër larg derës. Besoj se qëllova 5-6 herë. Një breshëri qëllova. Ai u shtri nën tavolinë dhe mendova se e godita.” Ai shpjegoi gjithashtu se kishte marrë informacion për këtë punë nga Henriku dhe sqaroi “Nga Henriku mësova se kishte marrë porosi edhe nga një tjetër për këtë punë, nga Renato Çami. Këtë ma konfirmoi Henriku duke biseduar me një Blackberry. Henriku mbante kontakte edhe me nipin e Renatos.” Skerdi tregoi se atentati ishte në një lokal pranë rrethrrotullimit të parkut në Fier dhe vijoi “Unë qëllova nga jashtë lokalit. Objektivi ishte aty me 3-4 vetë të tjerë.” Ai përshkroi momentet duke thënë “Isha me bluzë me kapuç dhe pantallona xhins. Besoj se qëllova 5-6 herë. Ai u shtri nën tavolinë dhe mendova se e godita.” Pas atentatit, Skerdi u takua me Henriku dhe tha “Pas 100 metërsh më priste Henriku. I thashë që e godita. Por ai më tha pse e more përsipër kur nuk e bëje dot. Shënjestra kishte shkuar në polici dhe kishte përmendur disa emra, përfshirë edhe porositësin e vërtetë.” Ai shtoi se nuk kishte marrë pagesë për tentativën e dështuar, duke thënë “Henriku më konfirmoi se emri i porositësit ishte në dosjen e policisë. Nuk mora asnjë lek për këtë punë, pasi nuk e realizuam dot.”
Dëshmia e Skerdi Tasit: Takimi me Henrikun dhe ekzekutimi në Fier