Asgjë e re as këtë të martë sa i përket Kuvendit të Kosovës. Deputetët e kësaj legjislature sërish kanë dështuar. Kanë dështuar ta formojnë komisionin për votim të fshehtë të kryetarit të Kuvendit, e rrjedhimisht e dështuar ka qenë edhe “përpjekja” për konstituim të Kuvendit.
Gjithçka shkoi njëjtë si 46 herët tjera. Deputetët u mblodhën, opozita e deritanishme provoi të flasë, deputeti më i moshuar në rolin e kryetarit të Kuvendit, Avni Dehari, kërkoi nga regjia t’ua ndalë fjalën, u hodh në votim komisioni për votim të fshehtë dhe si përfundim dështoi. “Seanca e radhës do të mbahet pas 48 orësh, përkatësisht të enjten në orën 11”.
Në sallë ishin 105 deputetë. Prej tyre, 51 votuan për asnjë kundër dhe asnjë abstenim. Pas përfundimit të seancës, opozita e deritashme zgjodhi sallën e Kuvendit të deklarohet, kurse pushteti korridorin. Sërish faji u hodh te të dyja palët, e vendimi i Gjykatës Kushtetuese u interpretua ashtu siç u konvenoi.