Janë arrestuar dy nga personat e dyshuar për vrasjen e 22-vjeçarit Renis Dobra, ngjarje e ndodhur më 8 korrik në fshatin Madhesh të Ulzës.
Në pranga kanë rënë Petrit Çakrri (i njohur dhe si Petrit Hoxha) dhe Fatjon Bushgjoka, të cilët u kapën respektivisht në Tropojë dhe në Tiranë. Dy persona të tjerë mbeten ende në kërkim.
Renisi ishte vetëm pak minuta larg shtëpisë kur u rrëmbye. Më pas, u dhunua dhe u mbyt me litar, ndërsa trupi i tij u hodh në liqenin e Shkopetit bashkë me makinën. Dyshohet se gjatë rrokullisjes, trupi i tij ka dalë nga mjeti dhe është gjetur mëngjesin e 9 korrikut nga familjarët.
Njëri prej të arrestuarve, Petrit Çakrri, është një emër i njohur për drejtësinë. Ai ka qenë dëshmitar okular në vrasjen e Azem Hajdarit dhe pas daljes nga burgu, ka ndryshuar mbiemrin. Sipas hetimeve, ai kishte marrë me qira dy automjete të përdorura në krim, ndërsa lëvizjet e tij janë ndjekur përmes GPS dhe kamerave të sigurisë.
Policia ka ndaluar edhe nipin e tij, nga i cili është sekuestruar një celular që dyshohet të përmbajë prova të vlefshme për zbardhjen e plotë të ngjarjes.