Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka reaguar në ldihje me arrestimin e ndihmësdrejtorit në të ashtuquajturën ‘’zyrë për Kosovën’’ në Serbi, Igor Popoviç.
Sveçla tha Popoviç e ka cilësuar UÇK-në si organizatë terroriste. Ai shtoi se Popoviç është ndaluar në pikën kufitare në Bërnjak, dhe se i njëjti më pas është dërguar në stacionin policor në Mitrovicën e Veriut.
“Dua të theksoj se Republika e Kosovës është shtet demokratik dhe sovran. Ne as nuk kemi cenuar një shtet tjetër, as nuk kemi provokuar popullatën e një shteti tjetër dhe as nuk do të lejojmë veprime të tilla ndaj nesh. Nuk do te tolerojmë fyerje dhe përdhosje të historisë sonë, e aq më pak të Luftës sonë Çlirimtare të udhëhequr nga UÇK-ja. Kjo pjesë e historisë gëzon respektin e të gjithë botës përparimtare”, shkruan Sveçla në facebook.
Ai tha se deklarimet e modelit millosheviqian janë të dënueshme dhe trillime.
“Deklarimet e modelit millosheviqian, që administrata politike e Serbisë të drejtuar nga Vuçiq i mban ende gjallë dhe i shpërndan kudo, janë të dënueshme sepse janë përçarëse, të pavërteta sepse janë të trilluara, dhe të dëmshme sepse janë në kundërshtim me çdo normë ndërkombëtare të fqinjësisë dhe shoqërive përparimtare”, tha Sveçla.