Pas Pano Sokos, largohen edhe dy këshilltarë bashkiakë nga Nisma Thurje. Ish-kandidatja për deputete Rigerta Loku Tushaj ka njoftuar largimin nga Nisma Thurrje. Në një postim në rrjete sociale, ajo shpreh indinjatën për përplasjet lidhur me mandatin e vetëm që fitoi koalicioni “Shqipëria Bëhet”.
“Burri lidhet për fjale jo për konopi. Për mua besa dhe fjala e dhënë janë institucione më të vjetra dhe më të shenja se ligji dhe në gjithë këto kohë vetëm janë shkelur e përdhosur.
Ka vite e vite, që nga këtu ku jam, rend, jo pas partisë por pas idealeve, sepse nuk dua të bëj politikë me lojra fjalësh por me fjalën që ze vend”, shkruan ajo.
Më tej, ajo shton se për një mandat nuk u dëmtuan vetëm dy partitë e koalicionit, por u minua gjithashtu edhe rruga e forcave të reja politike.
“Vetëm me dy statuse në fb, dy të rinj më pikëlluan e zhgënjyen më tepër se të vjetrit tash 30 vjet”.
Gjithashtu këshilltari i Korçës, Klajdi Pllaha thotë se u bë pjesë e Nismës Thurje pasi besonte në pastërtinë e të rinjve që donin të ndryshonin sistemin, por sot këto vlera dhe ideale kanë humbur.
Për këtë arsye, ai u largua me mesazhin për dy liderët Lapaj-Shabani, se një ditë edhe ata do të reflektojnë për këtë përplasje.








