Këshilli i Lartë i Prokurorisë, KLP ka shmangur në dy mbledhjet plenare të fundit, më datat 11 dhe 16 korrik, të shqyrtojë kërkesën e prokurores së Shkodrës, Elsa Gjeli për ta mbrojtur ndaj akuzave të kryeministrit Edi Rama ndaj saj, lidhur me mosfillimin e hetimit për një kallëzim të kryer për ndërtimet në Theth, megjithëse ishte parashikuar të trajtohej në axhendën e mbledhjes së parë.
Po ashtu nuk është parashikuar asgjë lidhur me këtë çështje as për mbledhjen plenare që u njoftua se do të zhvillohet të premten, më 25 korrik. Pas publikimit të kërkesës së Gjelit drejtuar KLP-së më 11 korrik, reagoi ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, i cili tha se kishte bërë ankim për fillim të procedimit disiplinor ndaj prokurores.
Kjo deklaratë e Manjës drejtuar Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, ILD, po përdoret nga KLP si një rrethanë ku po bazon hamendësimin se, ndaj Gjelit mund të kërkohet në të ardhmen fillimi i procedimit disiplinor, e për rrjedhojë justifikohet mosmbajtja e një qëndrimi për kërkesën e magjistrates për mbrojtje.
I pyetur për mosmbajtjen e një qëndrimi lidhur me kërkesën e Gjelit, KLP i tha BIRN të enjten se, në referim të shkresës së Manjës, përmes së cilës i është kërkuar ILD-së të fillojë procedurën disiplinore lidhur me çështjen përkatëse, çmon se “anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë nuk mund të mbajnë qëndrim, apo të komentojnë mbi një çështje konkrete, e cila më pas mund të jetë objekt i një procedimi disiplinor, që merret në shqyrtim pikërisht nga ky këshill”.
Lidhur me faktin se ILD nuk ka njoftuar ende nisjen e ndonjë hetimi disiplinor apo kërkimin e fillimit disiplinor ndaj Gjelit, KLP u shpreh se nuk dinin ende diçka dhe se kjo gjë është në vlerësimin e ILD-së. “Po nëse e bënë, ne duhet të përjashtohemi se i bie kemi mbajtur qëndrim”, argumentoi kryetarja e KLP-së, Mirela Bogdani lidhur me pyetjen që BIRN i drejtoi, se nga e dinte KLP se në të ardhmen ILD do të inicionte një procedim të tillë.
Prokurorja Elsa Gjeli i tha BIRN gjatë një bisede telefonike të enjten, se nuk kishte ndonjë koment lidhur me mosmbajtjen e qëndrimit nga ana e KLP për kërkesën e saj./Reporter.al