Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar arkitektët se, nëse projektet për të cilat është dhënë leja e ndërtimit ndryshojnë gjatë procesit të realizimit, ata do të përballen me pasoja ligjore.
Rama theksoi se projektet duhet të realizohen saktësisht siç janë miratuar, pasi bëhet një punë e madhe për filtrimin dhe aprovimin e tyre. “Nuk po diskutoj detaje të vogla, por në volume që ndryshojnë,” u shpreh ai.
Kryeministri shtoi se interesimi për projektet me arkitektë të huaj ka rritur besueshmërinë e industrisë, por theksoi se është e rëndësishme që arkitektët dhe investitorët të respektojnë projektet dhe t’i realizojnë ashtu siç janë parashikuar. Sipas tij, çdo ndryshim i projektit pas miratimit nuk është i pranueshëm, dhe ndërtimi nuk duhet të bazohet vetëm në paraqitje, por të ketë akses në mundësi të tjera financimi.
Rama nënvizoi se përveç masave ligjore, është e rëndësishme të rritet vetëdija e investitorëve dhe ndërtuesve për të realizuar projekte në përputhje me planin origjinal dhe për të kontribuar në zhvillimin e një tregu të qëndrueshëm dhe të besueshëm.