Partia e Lirisë ka dalë kundër draftit të ri të Kodit Penal, të propozuar nga Ministria e Drejtësisë, duke e cilësuar si një projekt represiv që rrezikon të cenojë liritë themelore dhe të sjellë pasoja të rënda për shoqërinë shqiptare.
Zëvendëssekretarja e Përgjithshme e PL-së, Brunilda Haxhiu, deklaroi se “Kodi i ri nuk është reformë, por një manual frikësimi që synon të kriminalizojë mendimin ndryshe dhe të forcojë pushtetin në kurriz të qytetarit.”
Sipas saj, drafti përfshin nene të paqarta që mund të përdoren për ndëshkimin e opozitës, mediave dhe profesionistëve të lirë, ndërsa ashpërson dënimet për të miturit, në kundërshtim me konventat ndërkombëtare.
PL kërkon nisjen e një procesi transparent dhe gjithëpërfshirës për rishikimin e Kodit, me pjesëmarrjen e opozitës, shoqërisë civile dhe ekspertëve të pavarur.
“Nëse ky kod miratohet, shpopullimi do të përshpejtohet. Shqiptarët nuk do të jetojnë dot në një vend ku frika sundon mbi drejtësinë,” theksoi Haxhiu.








