I dërguari special i Presidentit amerikan Donald Trump, Steve Witkoff, do të vizitojë Moskën të dielën në përpjekje për të shtyrë përpara negociatat për paqe në Ukrainë.
Ambasadori amerikan në NATO, Matthew Whitaker, tha se vizita synon të sjellë përparim drejt një armëpushimi.
Sipas Whitaker, SHBA-të po rrisin shitjet e armëve ndaj vendeve të NATO-s për t’i dërguar më pas në ndihmë Ukrainës, si formë presioni ndaj Rusisë.
Ndërkohë Trump ka vendosur një afat të ri prej 10 ditësh për arritjen e një marrëveshjeje, duke paralajmëruar sanksione të rënda nëse nuk ka progres deri më 8 gusht.