Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, zhvilloi një vizitë zyrtare në Arabinë Saudite, me ftesë të homologut të tij, Drejtorit të Përgjithshëm të Sigurisë Publike, Gjeneral Lejtnant Mohammed bin Abdullah Al-Bassami.
Gjatë takimit, dy drejtuesit theksuan rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit në fusha kyçe si rendi publik, lufta kundër krimit të organizuar, terrorizmit, krimeve ekonomike dhe kibernetike.
Ilir Proda nënvizoi angazhimin e Policisë Shqiptare për të forcuar marrëdhëniet ndërkombëtare dhe për të ndarë përvojat dhe teknikat moderne, duke përfshirë menaxhimin e sigurisë gjatë ngjarjeve masive dhe përdorimin e inteligjencës artificiale në parandalimin e rreziqeve.
Drejtori Al-Bassami u shpreh se Arabia Saudite do të mbështesë Policinë Shqiptare me trajnime, logjistikë dhe bashkëpunim hetimor, duke forcuar kështu marrëdhëniet strategjike midis dy vendeve.
Gjatë vizitës, delegacioni shqiptar zhvilloi takime edhe me drejtues të sigurisë publike në Mekë dhe Medinë për shkëmbimin e eksperiencave në menaxhimin e aktiviteteve masive.