Situata në fshatin Lekël të Tepelenës është bërë alarmante për shkak të zjarreve që po shkaktojnë dëme të mëdha materiale.
Flakët kanë përfshirë qindra hektarë me pyje dhe kultura të mbjella, ndërsa janë djegur disa banesa, përfshirë edhe tre stane dhe tre krerë gjedhë.
Një nga humbjet më të mëdha është shkatërrimi i kishës ortodokse “Shën Ilia”, monument kulture i kategorisë II, ndërtuar në vitet 1800 nga Thanas Vaja, ish-komandanti i Ali Pashë Tepelenës.
Kisha është shkatërruar plotësisht nga zjarri.
Situata u rëndua edhe më shumë pas shpërthimit të dy bombave të mbetura nga Lufta e Dytë Botërore, të cilat u aktivizuan për shkak të temperaturave të larta.
Për shkak të rrezikut të madh, autoritetet urdhëruan evakuimin urgjent të banorëve të fshatrave Lekël dhe Hormovë, për të garantuar sigurinë e tyre.
Gjendja mbetet kritike dhe forcat e emergjencës vazhdojnë punën për të kontrolluar flakët.