Sot zhvillohet takimi Trump-Zelensky në Uashington. E ardhmja e luftës mes Rusisë dhe Ukrainës mund të ketë një drejtim të ri, sot, që presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump pret në një takim homologun ukrainas, Zelensky dhe disa nga liderët kryesorë të BE, përfshirë dhe kreun e NATO.
Ky takim i rëndësishëm vjen pak ditë pasi kreu i Shtëpisë së Bardhë u takua në Alaskë me presidentin rus, Vladimir Putin. “Presidenti ukrainas Zelensky mund t’i japë fund kësaj lufte menjëherë nëse e dëshiron këtë gjë, ose mund të vazhdojë të luftojë me Rusinë”, shkruajti Trump në rrjetet sociale disa orë përpara takimit.
“Kthehuni në kohë dhe kujtoni sesi filloi e gjitha kjo. Nuk mund të marrësh mbrapsht Krimenë që e dha Obama 12 vite më parë dhe nuk mund të anëtarësohesh në NATO. Disa gjëra nuk ndryshojnë kurrë”, shtoi ai.
Donald Trump e cilësoi ditën e sotme si shumë të rëndësishme, teksa shtoi se është i nderuar që do të presë kaq shumë drejtues të BE në një ditë të vetme në Shtëpinë e Bardhë.
“Ndajmë një dëshirë të fortë për ta përfunduar këtë luftë shpejt. Paqja duhet të jetë e qëndrueshme. Jam i bindur se ne do ta mbrojmë Ukrainën, do të sigurojmë sigurinë e saj dhe populli ynë do të jetë gjithmonë mirënjohës ndaj Trump, Amerikës dhe çdo partneri për mbështetjen dhe ndihmën e tyre të paçmuar. Rusia duhet ta përfundojë këtë luftë, të cilën e filloi vetë”, shkroi presidenti i Ukrainës.








