Publikimi së fundmi i draftit të Kodit të ri Penal nga Ministria e Drejtësisë ka shkaktuar debate në radhët e ekspertëve të drejtësisë dhe organizatat e shoqërisë civile, për shkak të shtimit të ashpërsisë së propozuar në dhënien e dënimeve për veprat dhe kundërvajtjet penale. Kodi i ri Penal përmban 952 nene. Prej fundit të muajit korrik drafti është publikuar në faqen e Ministrisë së Drejtësisë dhe ka hyrë në fazën e konsultimeve.
Në këtë fazë të parë konsultimesh Profesionistët e Aleancës të Profesionistëve të Lirë (APL) nëpërmjet një letre dërguar ministrit të Drejtësisë Ulsi Manja kanë kërkuar rishikim të kujdesshëm të dispozitave problematike, duke theksuar nevojën për respektim të parimit të proporcionalitetit dhe mbrojtje të lirive ekonomike dhe lirisë së fjalës.
Duke ngritur shqetësimin për zgjerimin e panevojshëm të ndërhyrjes penale në fusha që tradicionalisht janë trajtuar nga e drejta civile apo administrative, APL sjell në vëmendje disa nene që sipas tyre mund të sjellin pasoja negative në marrëdhëniet mes bizneseve.
Neni 537, që penalizon “tarifat e papërshtatshme të shërbimit”, duhet të rishikohet me prioritet, pasi në një ekonomi tregu, çmimet përcaktohen nga marrëdhënia kërkesë–ofertë dhe natyra e shërbimit, jo nga sanksione penale. Nocioni është i paqartë dhe rrezikon të penalizojë ofruesit e shërbimeve, duke ndërhyrë në mënyrë të panevojshme në marrëdhënie kontraktuale që tradicionalisht trajtohen nga e drejta civile ose administrative.
Neni 604 që parashikon se mospagimi, brenda afatit ligjor, i detyrimeve tatimore të vetëdeklaruara përbën kundërvajtje penale, e dënueshme me gjobë ose burgim deri në një vit, por pa dalluar ndërmjet vonesave të paqëllimshme dhe shmangies së qëllimshme;
Neni 625, mund të penalizojë konkurrencën e ligjshme në marrëdhënie tregtare, duke e penalizuar ofertën në prani të një marrëveshjeje paraprake.
Gjithashtu, ata ngrenë shqetësimin edhe për nene të tjera për shpifjen, ndikimin në pavarësinë e gjykatësve etj.) rrezikojnë se do të dobësojnë rolin mbikëqyrës të medias dhe do të rrezikojnë transparencën në një shtet ligjor funksional.
Aleanca kërkon që procesi i miratimit të Kodit të mos nxitohet, por të shoqërohet me konsultime të gjera dhe gjithëpërfshirëse, ku të përfshihen profesionistë të drejtësisë, përfaqësues të biznesit dhe shoqërisë civile.
Profesionistët e APL shprehen të gatshëm të kontribuojnë me ekspertizë dhe propozime konkrete, duke theksuar se kjo reformë duhet të shërbejë për të ndërtuar një sistem më të drejtë, efikas dhe në përputhje me standardet europiane./ Monitor