Ministria e Jashtme e Turqisë ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu i cili për herë të parë njohu zyrtarisht gjenocidin e armenëve, asirianëve dhe grekëve pontikë nga Perandoria Osmane në fillim të shekullit të 20-të.
Në një komunikatë të publikuar më 27 gusht, Ministria e Jashtme turke e cilësoi deklaratën e Netanyahu-së si “të papajtueshme me faktet historike dhe ligjore” dhe një përpjekje për shfrytëzimin politik të ngjarjeve të së kaluarës.
“Netanyahu, i cili është aktualisht në gjyq për rolin e tij në konfliktin me popullin palestinez, po përpiqet të fshehë krimet e tij dhe të qeverisë së tij.
Ne e dënojmë fort këtë deklaratë dhe e hedhim poshtë atë,” thuhet në njoftimin e ministrisë turke.
Derisa Izraeli deri tani ka shmangur njohjen e gjenocidit për shkak të marrëdhënieve të ndjeshme me Turqinë, ky veprim i Netanyahu-së përbën një ndryshim të rëndësishëm në politikën izraelite, duke nxitur reagime të forta nga ana e Ankarasë.









