Mirlind Daku ka realizuar një tjetër paraqitje të shkëlqyer në Rusi, duke shënuar dy gola për Rubin Kazan në ndeshjen e javës së 7-të të kampionatit rus kundër Orenburg.
Sulmuesi i Kombëtares së Shqipërisë zhbllokoi rezultatin në minutën e 16-të dhe më pas dyfishoi shifrat, duke kontribuar në fitoren e skuadrës së tij.
Pas shënimit të golave, Daku nuk mundi të mbante lotët, një reagim që lidhet me humbjen e gjyshit të tij, të cilin e njoftoi përmes një postimi emocionues në rrjetet sociale ditën e djeshme.
Në të njëjtën kohë, Daku është ftuar nga trajneri i Kombëtares për ndeshjet e shtatorit dhe pret të vazhdojë të japë kontributin e tij. Pas dy golave të shënuar, Daku ka arritur në kuotën e 6 golave në këtë kampionat, një shifër që vjen pas 7 javësh të luajtura në elitën e futbollit rus.