Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja në tryezën e thirrur për diskutimin publik lidhur me Draftin e Kodit të Ri Penal ka deklaruar se po reflektohen ndryshimet pas shqetësimeve të para që janë ngritur.
Manja është shprehur se Ministria e Drejtësisë është porositësi, por jo shkruesi i draftit. Hartuesi i draftit është drejtori i Shkollës së Magjistraturës Arben Rakipi i asistuar dhe konsultuar nga ekspertë dhe Drejtoria e Kodifikimit në Ministrinë e Drejtësisë.
“Ka dy rrugë në hartimin e një ligji si Kodi Penal ose përmës Drejtorisë se Kodifikimit ose përmes Institucioneve të Drejtësisë. Kemi zgjedhur këtë të dytën.
Kodi është hartuar nga Arben Rakipi me ndërhyrje të ekspertëve dhe më pas është konkluduar në një tryezë të rrumbullakët në vitin 2020 me pjesëmarrës nga institucionet e drejtësisë.
Në vitin 2023 kam ngritur një grup pune jo për të shkruar kodin e ri, por për të parë disa indikatorë, grupit të punës i kam lënë afat fundin e vitit 2024.
Gjatë periudhës tetor 2024-shkurt 2025 janë zhvilluar një sërë takimesh me aktorët dhe grupet e interesit që kanë qenë të interesuar, rreth 40 të tilla me ekspertët e fushës.
Drafti u dorëzua në Drejtorinë e Kodifikimit sipas afatit. Më 25 korrik patëm tryezën e parë. Kemi mbajtur shënim të gjitha shqetësimet e paraqitura.
Hartimi ka marrë shumë kohë. Shqipëria duhet të ketë gati Kodin e Ri Penal në fund të vitit 2026″ tha Manja.








