Në ditën e parë të vitit të ri shkollor 2025-2026, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, ka përcjellë një mesazh urimi për 345 mijë nxënës dhe 31 mijë mësues në të gjithë vendin. Ajo theksoi rëndësinë e arsimit si baza e çdo suksesi dhe ndau risitë kryesore që do të shoqërojnë këtë vit shkollor.
Ministrja vuri në dukje se për herë të parë janë përfshirë konceptet bazë të inteligjencës artificiale në klasat e IV-ta, janë vënë në funksion 340 laboratorë SMART dhe pritet të arrijnë në 1000. Gjithashtu, janë ndërtuar dhe rehabilituar 30 shkolla të reja, ndërsa janë shtuar mbi 100 oficerë sigurie në shkolla për të garantuar një mjedis më të sigurt.
Në fokus mbetet edhe mbështetja për nxënësit me aftësi të veçanta, me 2260 mësues ndihmës të angazhuar, si dhe përfshirja e më shumë aktiviteteve artistike, sportive e shkencore, si Konkursi Kombëtar i Teatrit dhe Festivali i Shkencës.
“Ky vit shkollor është një ftesë për të ëndërruar, për të eksploruar dhe për të ndërtuar të ardhmen. Shkolla është vendi ku nisin rrugët më të bukura,” u shpreh Manastirliu në mesazhin e saj.









